Dilma Rusef rizgjidhet Presidente e Brazilit, fiton balotazhin me Nevesh
Dilma Rusef është rizgjedhur si Presidente e Brazilit, pasi siguroi më shumë se 51% të votave në zgjedhjet e së dielës, të cilat konsiderohen si ndër më të ekulibruarat në Brazil prej disa vitesh.Kundërshtari i saj në balotazh, Aesio Nevesh, mori 48% të votave. Në fjalimin e fitores, Rusef tha se do të punonte që të bënte një punë më të mirë se sa ka bërë deri tani. Edhe pse është mjaft popullore në shtresat e varfra të shoqërisë, Rusef është përballur me protesta vitin e kaluar për shkak të korrupsionit në vend dhe shpenzimeve marramendëse për organizimin e Kupës së Botës. Edhe pse votimet i ndanë pothuajse në dysh brazilianët, ajo u bëri thirrje për bashkim për të mirën e vendit."Presidentja është e hapur për dialog, ky do të jetë prioriteti im në këtë mandate të dytë", tha Rusef përpara mbështetësve të saj në Brazilia. Ajo i falenderoi të gjithë, në veçanti mentorin dhe pararendësin e saj, Luiz Injasio Lula da Silva. "Falenderoj nga thellësia e zemrës militantin numër një tonin, Presidentin Lula", u shpreh Rusef. Rizgjedhja e saj bëhet mandati i katërt rresht për Partinë e Punëtorëve, që qendron në pushtet prej vitit 2002, kur Lula u zgjodh president për herë të parë.Rivali më i fortë i Rusefit, socialdemokrati Nevesh, i cili arriti të shkonte deri te balotazhi, në fjalimin ku pranoi humbjen në qytetin Belo Horizonte, falenderoi mbi 50 milionë brazilianët që e kishin votuar dhe tha se do të telefononte presidenten e rizgjedhur. "I uroj suksese në administrimin e qeverisë së ardhshme dhe i mbetem idesë sime mbi prioritetin më të madh për ne, ribashkimin e popullit në një projekt që do të jetë dinjitoz për të gjithë".Oranews.tv