PD: Padrejtësi me prishjet selektive, PS: Opozita përkrah ndërtimet pa leje
Partia Demokratike ka vazhduar denoncimet për prishjen e ndërtimeve nga INUK. Deputeti Strazimiri nga selia blu denoncon korrupsionin me lejimin e ndërtimeve të miqve të Kryeministrit dhe i bën thirrje qytetarëve të kundërshtojnë dhunën dhe arrogancën e qeverisë.I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Socialiste. Në një dalje për mediat nga selia rozë, deputetja Blerina Gjylameti u shpreh se opozita është në krah dhe mbështet ndërtimet pa leje. Sipas saj asnjë prishje nuk është selective.Deklarata e Gent StrazimiritPrishjet selektive që po bën Edi Rama, po lënë pas një padrejtësi revoltuese.Në sytë e qytetarëve, në jetën e tyre të përditshme, në rrugën, lagjen ku ata jetojnë, Edi Rama po lë dëshmi se miqtë e tij, klientela e tij janë të paprekshëm.INUK patrullon si bandë zuzarësh dhe ka krijuar një gjëndje lufte kundër të pamundurve, atyre që nuk kanë lidhje me Edi Ramën, duke hedhur në tokë mundin dhe djersën, të vetmen mundësi që kanë për t’u ushqyer.Por asnjë gërvishtje nuk pësojnë ndërtesat e lokalet Koco Kokëdhimës, të Vangjush Dakos, kryetarit të PS në njësinë 10, kryetarëve socialist të minibashkive, zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, apo të vetë funksionarëve të lartë të INUK.Shtesat, godinat, baret apo lokalet e pushtetarëve e njerëzve të afërt me Edi Ramën, gjenden kudo, kanë zënë hapësirën publike, kanë ngushtuar trotuaret, por ato nuk preken.Justifikimi i INUK se ndërtimet e miqve të qeverisë kanë dokumentacion është qesharak, pasi kjo bandë zuzarësh ka bërë hi kudo edhe ndërtesa të legalizuara, edhe prona të ligjshme.I nderuar qytetar që prej 1 viti rri me gjak të ngrirë “se mos kalon këtej Ai”, dhe të heq strehën e fëmijëve, të prish biznesin më të cilin i mban ata me bukë, të bën pluhur e hi mundin dhe sakrificën e shumë viteve:Kur erdhi të të kërkonte votën këtu e 1 vit e gjysëm më parë, a ishte Ai që të tha “ta gëzosh se as Enver Hoxha nuk e prish dot më” madje “e ke falas legalizimin”? Apo të tha që do të bënte këtë që po bën?I nderuar kryefamiljar që me djersë përpiqesh të rrisësh femijët me bukë të ndershme: 1 vit e gjysëm më parë kur erdhi të të kërkonte votën a të tha që faturën e energjisë elektrike do të ta bënte të papërballueshme madje që do të përfundosh në burg nëse nuk ke mundësi ta paguash?A të tha që do të rriste 2 herë brenda vitit çmimin e karburanteve, dmth, të bukës, vezës, makaronave, orizit?A të tha që nuk do të të rritet asnjë cent rroga, por vetëm taksat disafish?I nderuar biznesmen që sot ke frikë të dukesh që ke para:1 vit e gjysëm më parë kur erdhi të të kërkonte votën, a të tha që do të të rriste çdo taksë e tatim, që do të kishe mbi shpinë çdo ditë që ka fal zoti gjobvënësit e tij, madje që do të rriste taksën mbi depozitat për të të vjedhur çdo cent të ndershëm që ke në bankë?Dhe në fund një pyetje që na rri mbi kokë të gjithëve si shoqëri:-A ka formë arrogance më revoltuese se sa një qeveri që sa herë mblidhet vendos se si të varfërojë popullin e saj, deri në bukën e gojës, madje me cinizëm, në këmbim “t’i dhurojë” “hapësira me bar” dhe “zona pedonale”?Të nderuar vëllëzër e motra të çdo bindje politike,Ka ardhur koha të reagojmë SOT, ndryshe rrezikojmë të shndërrohemi në një shoqëri mazokiste, që e shijon dhe meriton ndëshkimin dhe arrogancën e një sadisti…!Deklarata e Blerina GjylametitËshtë për të ardhur keq që opozita në mënyrë të përsëritur zgjedh të rreshtohet në krah të informalitetit, të ndërtimeve pa leje e të shkatërrimit të pronës publike në kryeqytet.Mjafton të shohësh bilancin e punës së INUK gjatë këtyre muajve për të kuptuar se ç’përmasa të turpshme kishte marrë abuzimi me hapësirën publike në Tiranë nën qeverisjen e Lulzim Bashës.Plot 1400 objekte të paligjshme janë prishur deri më sot duke çliruar mbi 98 000 metra katrorë hapësirë publike, në zonën e Brrylit, Xhamllëkut, Unazës, oxhakut, Kinostudios, Porcelanit, Mine Pezës, Don Boskos e Muhamet Gjolleshës. 98 000 metra katrorë hapësirë publike, kjo është shifra e abuzimit me territorin nën drejtimin e Lulzim Bashës.Opozita akuzon për shembje selektive. Por e vërteta është krejt ndryshe. Në asnjë rast të vetëm nuk ka pasur shembje selektive dhe në asnjë rast të vetëm nuk është lënë pa shembur ndonjë objekt i ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Të vetmet ndërtime që nuk janë prishur në këtë fazë janë ato që janë legalizuar nga qeverisja e mëparshme, duke u dhënë shkelësve të ligjit tapi për hapësirat publike. Për këtë, opozita dhe Lulzim Basha duhet t’u kërkojnë falje qytetarëve të Tiranës dhe të japin llogari për koston e papërballueshme financiare që prodhon shpronësimi i këtyre turpeve prej betoni.Në këtë pikë na lind e drejta t’i drejtojmë një pyetje opozitës: përse nuk i drejtoheni Kryetarit të Bashkisë së Tiranës me shqetësimet tuaja për ndërtimet e paligjshme që nuk janë shembur nga INUK? Kontrolli i territorit të kryeqytetit, moslejimi i ndërtimeve pa leje dhe shembja e tyre janë kompetencë e drejtpërdrejtë e Inspektoriatit të Bashkisë që drejton Lulzim Basha.Nuk është faji i INUK që Lulzim Basha e ka braktisur Bashkinë e Tiranës. Nuk është faji i INUK që vizioni i vetëm i Partisë Demokratike për zhvillimin e kryeqytetit janë ndërtimet pa leje dhe zaptimi i hapësirës publike. Ne jemi të vendosur të rikthejmë ligjshmërinë në çdo metër katror të kryeqytetit dhe të vendit, dhe t’u rikthejmë qytetarëve hapësirat, rrugët e trotuaret e zaptuara në mënyrë të paligjshme. Nëse Lulzim Basha e sheh ende veten si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, detyra e tij është t’i bashkohet këtij aksioni. Nëse është i paaftë, ose nuk dëshiron të përmbushë detyrimet e tij kundrejt ligjit dhe qytetarëve, atëherë le të japë dorëheqjen një orë e më parë.