Nikolla: "Ja video e së vërtetës, bota të shohë dhunën" - Rama e shpërndan

Tiranë - Nëse UEFA vendosi të mbyllë sytë para së vërtetës në stadiumin e Beogradit, autoritetet shqiptare kërkojnë që bota të mos bëjë të njëjtën gjë. Dhe të vërtetën e plotë të asaj që ndodhi me lojtarët kuqezi në ndeshjenn përballë serbëve, e tregojnë këto 15 minuta pamje filmike si dëshmi e faktit se Komisionit të Disiplinës së UEFA-s nuk iu veshën sytë, por zgjodhi të vërë një perde para tyre.Videon me të cilën FSHF u mbrojt para UEFA-s mund ta shohë çdo shqiptar, të cilit i shtohet edhe misioni për ta shpërndarë atë sa të mundë, në mënyrë që të gjithë të bëhen dëshmitarë të këtij vendimi absurd dhe të padrejtë ndaj Shqipërisë.Me një tekst në anglisht, gjermanisht dhe shqip në video, rrëfehet dhuna që kanë pësuar lojtarët shqiptarë, thirrjet nacionaliste serbe 'Vrisni shqiptarë derisa mos të mbetet asnjë', detaje mbi shkeljet që janë bërë nga serbët gjatë atyre 41 minutave lojë dhe më pas, por që nuk u morën parasysh nga UEFA.Pamjet i ka publikuar vetë Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, e cila lëshon edhe apelin që çdo shqiptar të shpërndajë videon përmes internetit në drejtim të çdo gazete, televizioni, federate futbolli, klub futbolli nëpër Evropë e botë... "Postojeni në çdo adresë ku mendoni se dikush duhet ta shohë këtë të vërtetë dhe të bashkohet me ne në bindjen se vendimi i djeshëm i UEFA-s ka cënuar drejtësinë, Fair Play-n dhe respektin që UEFA i promovon aq shumë. Ndajeni përmes facebook-ut tuaj këtë video-dokument të realizuar ekskluzivisht për Komisionin Disiplinor të UEFA-s, me të gjithë yjet e futbollit europian dhe me çdo futbollist që ndiqni në rrjetet sociale", është thirrja që lëshon Nikolla.Ministrja thotë se në këtë video është dokumentuar e vërteta që UEFA mundi ta shihte dje pa mundur ta respektojë, për të respektuar Fair Play-n dhe vetveten! Por këtë të vërtetë bota nuk e ka parë përveçse në disa copëza shumë të vogla që edhe ato u sfumuan nga hutimi i çuditshëm pas një kukulle fluturake me një banderolë.Për numrin 1 të Arsimit, me një të vërtetë që e ka parë e gjithë bota, UEFA nuk do të mund të ketë të njëjtin qëndrim si përballë një Shqipërie të vetme."Jam e bindur se duke bërë këtë, shumë shpejt UEFA do të kuptojë se janë shumë më tepër sy e veshë, sesa sytë dhe veshët e shqiptarëve, të cilët do të presin të shohin e të dëgjojnë si do t'i shkojë halli i drejtësisë së munguar në këtë ditë të trishtueshme për Fair Play-n në Evropë dhe për drejtësinë në gjirin e UEFA-s!I pari që ka shpërndarë videon ka qenë Kryeministri Edi Rama. Por sot thirrjes #ForcaShqipëria #ZemraKuqezi, duhet t’i bashkohet çdo shqiptar, që u ndje po aq i dhunar sa lojtarët në fushë, me vendimin e djeshëm të UEFA-s.(Fotot e së vertetës së ndeshjes Serbi-Shqipëri që nuk pa UEFA)