Brukseli paralajmëron Shkupin: Qëndrimi për gazësjellësin, ndikim në integrim
Maqedonia është vendi i fundit që Brukseli i ka drejtuar paralajmërim se përfshirja e saj në projektin e gazit rus do të ketë pasoja në planin e integrimit në BE.Kështu ka shkruar sot portali i mirënjohur evropian “EuObserver”, duke drejtuar kritika për qasjen dhe rolin e Shkupit lidhur me përkrahjen dhe mos heqjen dorë nga projekti i gazsjellësit rus “Rrjedha e Jugut”.Komisioni Evropian siç bëhet e ditur më 30 shtator përmes një letre me shkrim ka paralajmëruar vendin dhe ka shprehur shqetësim rreth bisedimeve që po zhvillon me “Gazprom” për kyçjen në projektin ‘Rrjedha e Jugut’, që është në fazën finale.Presidenti i Bashkësisë Evropiane Energjetike, Janez Kopac dje ka deklaruar se marrëveshja që Shkupi ka me Moskën nuk është në përputhje me ligjin evropian për energjetikë.“Marrëveshja që ky vend ka me Bashkësinë Evropiane Energjetike e obligon ate që të respektojë rregullat”, deklaroi Kopac.Por e ardhmja e projektit “Rrjedha e Jugut” është vënë në pikëpyetje, për shkak të qëndrimit të Bashkimit Evropian, që kërkon që vendet anëtare të heqin dorë nga ky projekt dhe të sigurohet pakoja e tretë e ashtuquajtur për energjetikë.Gazsjellësi rus “Gazprom” u dakordësua të përfshijë Maqedoninë si pjesë të vendeve pjesëmarrëse që në vitin 2010.