Fasllia kundër Panaritit: Pas “proteinave” fshihen interesa të tjera

Tiranë- Ish-zëvendës Ministri i Bujqësisë, Ndoc Fasllia, kundërshton vendimin më të fundit të Ministrisë së Bujqësisë për uljen e standardit të proteinave të miellit në 9%.Në një intervistë për "Ora News", Fasllia tha se ndryshimi i standardit 2 herë në vetëm dy javë, lë të kuptohet se pas kësaj fshihen interesa të tjera, të cilat vetëm me sigurinë ushqimore nuk kanë lidhje.“Para dy tre javësh Ministria e Bujqësisë mori vendimin për të respektuar standardin 12.5% dhe ju e patë problemin që doli me Kosovën. Papritur pas dy javësh merret një vendim i kundërt që e ul nga 12.5% në 9%. E gjithë kjo të lë të kuptosh se kemi të bëjmë me interesa të caktuara biznesi dhe për qëllime të caktuara që vetëm sigurisë ushqimore, prodhimit vendas dhe industrisë vendase nuk i shërbejnë”.Ish-zëvendës Ministri i Bujqësisë, thekson se vendimi i Ministrisë së Bujqësisë dëmton drejtpërdrejt prodhuesit shqiptar të miellit. Sipas tij tregu shqiptar, informal, nuk ka luksin që të pranojë uljen e standardeve.“Është vendim absurd. Merret një vendim në këto kushte, të një tregu informal, me kapacitete shumë të ulëta monitorimi, merret një vendim për të ulur standardin nga 12.5% në 9%. E para kjo rrezikon sigurinë ushqimore për konsumatorin vendas dhe së dyti cënon drejtpërdrejt prodhuesit vendas dhe përpunuesit vendas të bukës. Për më tepër ka dhe një dezinformim të publikut, duke thënë se vendimi i marrë është në përputhje me standardet e BE.Kjo nuk është aspak e vërtetë. BE asnjëherë nuk merr vendime të cilat bien ndesh me sigurinë ushqimore dhe prodhimin vendas. Vendosja e standardeve është kompetencë e çdo vendi për ta bërë këtë, por nuk mund të bëhet kështu papritur pa njoftuar, pa diskutuar me biznesin dhe prodhuesit.Lihet një afat i hyrjes në fuqi të vendimit dhe pastaj mund edhe të rishikohen këto standarde. Por Shqipëria nuk ka kushte, tregu ushqimor në Shqipëri nuk ka ato kushte që mund të bëhet ulje e këtyre standardeve. Ky është një vendim absurd që do ta ketë efektin e vet tek prodhimi dhe përpunuesit”.