Malala fiton Medaljen e Lirisë

Nobelistja më e re e historisë, Malala Yousafzai, aktiviste e të drejtave të fëmijëve, ka marrë Medaljen e Lirisë së Shteteve të Bashkuara, duke u bërë kështu fituesja më e re në moshë e një çmimi të tillë.Qendra Kushtetuese Kombëtare ka thënë se Yousafzai është shpërblyer për guximin dhe kapacitetet e saj.Në ceremoninë e marrjes së çmimit, pakistanezja është shprehur se shpërblimin prej 100 mijë dollarësh do ta shpenzojë për të ndihmuar arsimimin e fëmijëve në Pakistan. Malala, e cila tani jeton në Britani, ka fituar famë me fushatën për shkollimin  e vajzave në Pakistan. Në tetor të vitit 2012, ajo është qëlluar nga talibanët dhe është plagosur rëndë. Në tetor të këtij viti, ajo, është shpallur bashkëfituese e Çmimit Nobel për Paqe.Që nga Filadelfia, ku u zhvillua edhe ceremonia, ajo bëri thirrje që të lëshohen sa më shpejt mbi 200 vajzat e mbajtura peng në Nigeri nga grupimi militant Boko Haram."Dua ta ngre zërin për motrat e mia në veri të Nigerisë, sepse ato kanë të drejtë të jenë të lira dhe të arsimohen. Islami nuk ëshë kundër arsimimit, në islam, çdo djalë dhe vajzë ka të drejtë të arsimohet. Kjo nuk është vetëm një e drejtë, por një përgjegjësi. Disa grupime po e keqpërdorin emrin e islamit për përfitime personale, po kjo është fe e paqes", tha Yousafzai.