ISIS me flotë luftarake ajrore? SHBA mohon: S’ka dezertuar asnjë pilot
Gjenerali amerikan, Lloid Ostin, i cili kryeson forcat e vendosura në Lindjen e Mesme, i pyetur nga gazetarët në konferencë për shtyp, përgënjeshtroi zërat se militantët e Shtetit Islamik kishin arritur të merrnin nën zotërim disa avionë luftarakë."Nuk kemi asnjë raportim në rrugë operative që forcat e Shtetit Islamik po mbështesin veprimet në terren me sulme nga ajri. Kështu që nuk mund ta konfirmoj këtë. Nuk kam asnjë informacion as për aludimet se ka pasur pilotë që kanë dezertuar dhe i janë bashkuar militantëve të IS".Ostin shtoi gjithashtu se sulmet ajrore të kryera nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA po jepnin efekt, por fushata do të zgjasë në kohë.Të premten, Observatori Sirian i të Drejtave të Njeriut njoftoi se disa pilotë iraiakanë që kishin dezertuar i ishin bashkuar forcave të ISIS dhe po stërvisnin pjesëtarë të grupimit ekstremist për të pilotuar disa avionë të marrë vitin e kaluar nga një bazë ushtarake siriane, duke shtuar se kjo ishte hera e parë që ata kishin në zotërim edhe mjete luftarake ajrore.Sipas të njëjtit burim, ata po bëjnë praktikë rreth aeroportit ushtarak, Al-Xharah, në lidhje të Alepos, ku edhe i kanë marrë avionët. Deri tani, militantët e ISIS kanë përdorur vetëm mjete tokësore gjatë pushtimit të territoreve në Irak dhe Siri, ku pretendojnë se kanë ngritur një Kalifat.