Platini i kthehet natës së Beogradit, gjetjen e fajtorit ja lë disiplinës

Në një intervistë për një radio franceze, presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, paralajmëroi se do të kishte sanksione për Serbinë dhe Shqipërinë, pas incidenteve që sollën ndërprerjen dhe anullimin e ndeshjes së të martës.Numri 1 i futbollit europian nuk bëri asnjë ndarje specifike të përgjegjësive për atë që ndodhi në Beograd, edhe pse serbët ishin organizatorët e aktivitetit dhe ishin pikërisht tifozët serbë që me futjen e tyre në fushë sollën edhe ndërprerjen e takimit."Është e turpshme ajo që ndodhi mes Shqipërisë dhe Serbisë. Me siguri që do t'i ndëshkojmë. Po presim raportin e gjyqtarit, të delegatëve dhe zyrtarëve të sigurisë që ishin dërguar enkas për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqiste ndeshja. Më tej, komisioni disiplinor do të marrë vendimet. Ai është një ent i pavarur dhe vetëm ai mund të vendosë", tha Platini."Futbolli është aq popullor sa që është i mbushur me politikë. Unë jam në kontakt me 54 shtete dhe e di rëndësinë që ka futbolli në shumicën prej tyre".Vetëm një javë më parë, Platini ka botuar librin e tij "Le të flasim për futboll", të cilin jep idetë e tij për futbollin e luajtur dhe atë jashtë fushës.Sipas tij, futbolli ka tërhequr shumë para rreth vetes, por paralajmëroi se gjërat mund të ndryshojnë në të ardhmen.