KE “korrigjon” Koçijançiç, Abbot: Thirrjet antishqiptare, të papranueshme
Zëdhënësi i Komisionit Europian për Kulturën dhe Arsimin, Denis Abbot, ka reaguar në lidhje me incidentet e ndodhura në ndeshjen Serbi-Shqipëri, duke u shprehur se brohoritjet që bëheshin përgjatë lojës nga tifozët serbë ishin të papranueshme.Qendrimi i Abbot është dukshëm i ndryshëm nga ai që mbajti dy ditë më parë zëdhënësja e baroneshës Catherine Ashton, Maja Koçijançiç."UEFA po bën një hetim për çfarë ndodhi dhe kuptohet se të gjithë i dëgjuan brohoritjet që bëheshin përgjatë lojës, të cilat ishin tërësisht të papranueshme. Kushdo pa ekranin atë natë mund ta kuptonte se ajo nuk ishte një shfaqje e mirë për askënd", tha Abbot."I takon politikanëve ta zgjidhin se kush duhet të kërkojë falje ndaj kujt dhe kush e nisi i pari. Por, më e rëndësishme është se kjo nuk duhet të gjejë vend në futboll dhe as në çfarëdolloj sporti tjetër.Komisioni do të punojë ngushtë me UEFA-n, në një periudhë afatgjatë, për mënyrën se si duhen trajtuar të tilla situata, sepse sporti i futbollit qartësisht përballet me të tilla sfida në kuptim të dhunës e diskriminimit dhe kjo nuk arrihet me një mrekulli, por kërkon edukimin e njerëzve, edukimin e tifozëve të futbollit".