Kryeministri i Kosovës apel Ramës: Duhet të shkosh në Beograd

Kosovë- Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, i është bashkaur zërave se pas incidenteve të fundit mes Serbisë dhe Shqipërisë, Edi Rama nuk duhet të anullojë dhe as shtyjë vizitën e tij në Beograd.Në një deklaratë ne fb, ai i ka thënë kryeministrit të Shqipërisë që ta realizojë vizitën, pasi ajo është e rëndësishme për të gjithë shqiptarët.Thaçi ka shkruar se Kryeministri i Shqipërisë kurrë nuk do të lejojë rrezikimin e shqiptarëve në Ballkan.Sipas Thaçit, "Ballkani Perëndimor ka hyrë në fazën e pakthyeshme të integrimeve Euro-Atlantike, që qëllim parësor kanë përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë"."Derisa ende dëgjojmë gjuhë të urrejtjes dhe provokime që vijnë nga hijet e të kaluarës së hidhur, progresi i arritur me Marrëveshjen e Brukselit ka mbyllur kapitullin e luftës dhe ndryshimit të kufinjve.Prandaj dialogu me fqinjët, mirëkuptimi për ballafaqim me trashëgiminë e të së kaluarës dhe fokusi i pandërprerë në plotësimin e kritereve Euro-Atlantike duhen të jenë shtylla kryesore të shteteve tona".Për Thaçin, Rama përfaqëson një shtet anëtar të NATO-s, që kurrë nuk do të lejojë rrezikimin e shqiptarëve në Ballkan."Prandaj edhe nuk ka arsye të frikësohet nga dialogu dhe vizita tek fqinjët", thekson Kryeministri i Kosovës."Vizita në Beograd është e rëndësishme për Shqipërinë, Kosovën, Luginën e Preshevës dhe tërë rajonin. Për më tepër, synimet tona afatgjata janë integrimet e shqiptarëve në familjen europiane".