Bushati: Sporti s’mund të drejtojë çështjet shtetërore, të gatshëm të vizitojmë Serbinë
Edhe pse në deklaratën e parë zyrtare pas incidentit në Beograd, la të hapura të gjitha opsionet për vizitën e kryeministrit në Serbi, Ministri i Jashtëm Bushati thotë se sporti nuk mund të drejtojë çështjet shtetërore.Në një intervistë për France 24, Bushati theksoi se Shqipëria është e gatshme të hapë një kapitull të ri me Serbinë, por për këtë nevojiten të dyja palët.“Këto janë çështje që jo domosdoshmërish duhet të jenë të lidhura me njëra-tjetrën. Nëse ne arrijmë të vendosim një vijë të qartë ndarëse midis sportit, huliganizmit dhe politikës, sepse sporti nuk mund të drejtojë çështjet shtetërore. Ky ka qenë qëndrimi ynë i qartë mbi këtë çështje. Jemi të vendosur të vazhdojmë rrugën tonë konstruktive në lidhje me politikën e jashtme në rajon, dhe Serbia është pjesë e këtij rajoni.Ne duam të hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet me Serbinë, por për këtë nevojiten të dyja palët. Ne kemi shprehur qartë gatishmërinë tonë për të vizituar kryeqytetin serb, dhe nuk mendojmë se duhet të presim shtatë dekada të tjera për materializimin e një aktiviteti dhe vizite kaq të rëndësishme. Të gjitha mundësitë janë të hapura, por nevojitet vullneti i të dy palëve. Ne jemi të gatshëm të vizitojmë Serbinë, dhe besojmë e shpresojmë se Serbia është gati të na mirëpresë”.Duke iu referuar asaj çfarë ndodhi në stadiumin “Partizani” me kombëtaren tonë të futbollit, Bushati tha se vendi pritës është plotësisht përgjegjës për mbarëvajtjen e ndeshjes.Ministri i Jashtëm shprehu keqardhje për përdorimin politik të saj nga zyrtarët e lartë në Serbi.“Qeveria shqiptare dënon me forcë provokimet, ushtrimin e dhunës në stadium e gjithashtu ngjarjet që shoqëruan këtë ndeshje futbolli, duke shprehur keqardhjen e saj mbi përdorimin e tyre për qëllime politike, fatkeqësisht nga zyrtarë të lartë në Serbi.Në kemi qenë mjaft të qartë në pozicionin tonë mbi këtë ngjarje, jemi distancuar nga përdorimi i dhunës dhe çdo lloj tjetër provokimi, u kemi bërë thirrje autoriteteve serbe të hetonin këtë çështje dhe u bëjmë thirrje gjithashtu që të ndalojnë së fajësuari Shqipërinë si komb, si qeveri dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre.Siç të gjithë e dimë, nga rregullat e shkruara dhe gjerësisht të pranuara, vendi pritës është plotësisht përgjegjës për mbarëvajtjen e një aktiviteti të tillë. Edhe pse ne luajtëm në Serbi në rrethana shumë të pazakonta, ku tifozët tanë nuk u lejuan të hynin në stadium, ku simbolet tona kombëtare nuk lejoheshin, ne luajtëm, pa asnjë ankesë.Po ashtu, kur filloi hedhja masive e objekteve të rënda dhe fishekzjarrëve në fushë dhe retorika tejet e pakëndshme kundër himnit tonë kombëtar, ne nuk u ankuam dhe vazhduam të luanim. Kemi udhëzuar gjithashtu njerëz nga FSHF dhe ambasadën tonë atje të ruajnë qetësinë dhe të përcjellin vetëm mesazhe paqësore”.