Serbia i “mbyll derën” Ramës, Dervishi: Të na dërgojë notë zyrtare

Tiranë - Glevin Dervishi, këshilltari për Mediat në Ministrinë e Jashtme, lidhur me vizitën e kryeministrit Rama dhe deklaratën e kryeministrit Vuçiç, tha se nuk ka ende një përgjigje zyrtare nëpërmjet kanaleve diplomatike nga pala serbe.Gjatë një interviste në RTV “Ora News”, me gazetaren Klementina Cenkollari, Dervishi u shpreh se nuk do të anullohet vizita e Kryeministrit Rama, deri në momentin që pala serbe t’a përcjellë këtë në rrugë diplomatike, apo të dërgojë përgjigje me notë verbale.“Aktualisht nuk kemi një përgjigje, por nëse i referohemi deklaratave të Kryeministrit serb, ne e gjykojmë që më e udhës dhe më normal enë bazat e praktikës protokollare në vizita zyrtare, do t’a vlerësonim, nëse pala serbe qëndrimin e saj nuk do të na e bënte të njohur në rrugë mediatike, por do të na e komunikonte atë nëpërmjet kanaleve diplomatike.Ne jemi ende në pritje, mjafton që pala serbe, të gjithë komunikimin që dëshiron ta vendosë me autoritetet shqiptare, t’a kanalizojë nëpërmjet rrugëve diplomatike, t’a sjellë përgjigjen e notës së dërguar dje nëpërmjet rrugëve diplomatike, atëherë dhe ne do të mbajmë një raport për ecurinë e mëtejshme” – theksoi Dervishi.Dervishi ka shtuar se pavarsisht marrëdhënieve problematike historike që kanë ndjekur Shqipërinë dhe Serbinë, pala shqiptare ka ditur të mos qëndrojë peng e së shkuarës, por vijon angazhimin për marrëdhënie të mira me fqinjët.“Vetë historia e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Serbisë është një histori jo fort e lehtë dhe shpesh ka pasur problematikat e vetë, por besoj se vetë vullneti i dëshmuar nga pala jonë për të ecur përpara, për të mos ngelur peng e së shkuarës, për të mos faktorizuar çdo incident që ndodh për të bllokuar raportet normale mes vendeve të ballkanit, besoj që është tregues shumë i qartë i sfidave që na prin, por nga ana tjetër ne e kemi vendosur dhe e kemi dëshmuar vullnetin tonë, që dëshirojmë të ecim përpara.Edhe pse dihet shumë qartë se Shqipëria, në histori - si në hostorinë e vjetër dhe si atë të re të Ballkanit, - nuk janë nxjerrë shqiptarët problematikë. Ne vazhdojmë t’i qëndrojmë angazhimit tonë për të pasur një politikë rajonale kontruktive dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, përfshi dhe Serbinë” – u shpreh këshilltari për Mediat në Ministrinë e Jashtme .Ndërsa për incidentin e ndodhur ne stadiumin “Partizani” në Beograd, si dhe deklaratat e autoriteteve serbe pas ngjarjes, Dervishi u shpreh se Ministria e Punëve të Jashtme i është drejtuar palës serbe nëpërmjet rrugëve diplomatike të kërkojë ndjese, pasi sipas këtij institucioni kanë qënë veprime të paparanueshme.“Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë dhe e kemi shprehur që nuk pajtohemi ndaj deklaratave fyese ndaj shqiptarëve dhe ndaj kombit shqiptar, ndaj përdhosjes së himnit dhe simboleve kombëtare shqiptare, ashtu sikundër baltosjen e qeverisë shqiptare bërë nga autoritete serbe.Kjo për ne ka qënë e paparanueshme, gjë të cilën e kemi kërkuar si në rrugë zyrtare, ashtu edhe në kanalet diplomatike dhe nëpërmjet komunikimit publik, që të bëhet një diferencë e qartë dhe të kërkohet ndjesë për atë që ka ndodhur” – tha Dervishi.