Duriç: S’kemi frikë nga huliganët me funksione në Prishtinë e Tiranë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Duric, ka thënë se deklaratat e zyrtarëve të Prishtinës pas incidenteve në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri, janë të papërgjegjshme dhe cinike."Në vend që ato deklarata të orientohen kundër valës së kërcënimeve me dhunë dhe me frikësim të organizuar kundër serbëve në Kosovë, ata edhe njëherë dëshmojnë se ka politikanë në strukturat qeverisëse në Prishtinë që nuk e kanë kuptuar mirë ç’do të thotë normalizimi i marrëdhënieve", ka thënë ai në Leshak të Kosovës, ku u hap Panairi i bujqësisë."Ne nuk iu frikësohemi huliganëve dhe as atyre që zbatojnë frikën e dhunën, e nuk iu frikësohemi as huliganëve që mbajnë kostume zyrtarësh dhe zënë funksione të rëndësishme në Prishtinë, Tiranë apo kudo tjetër”, ka thënë ai."Në Serbi është një Qeveri e vendosur që nuk është gatshme të vështrojë se si ata që e kanë bërë regjinë e ngjarjeve në ndeshjen Serbi -Shqipëri me deklarata të rrepta e cinike të dërgojnë edhe një mesazh negativ te të gjithë serbët në Kosovë", ka thënë ai.