Rokanas kërkon llogari për Derviçanin, Qirko: Rasti sporadik, gjendja e qetë
Tiranë- Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së shqiptare, Qirjako Qirko, priti sot në ambientet e Ministrisë Ambasadorin e Greqisë në Tiranë, Rokanas, me kërkesë të këtij të fundit, i cili e informoi z. Qirko mbi një incident të ndodhur në fshatin Derviçan, mbas ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri, ku një grup i vogël të rinjsh kanë lëshuar parulla dhe i kanë shkaktuar dëme materiale një automjeti.Duke e dënuar këtë incident dhe duke e quajtur atë një rast krejt të veçantë i cili nuk mund të ndikojë në asnjë mënyrë në frymën e bashkëjetesës shekullore midis shqiptareve dhe minoritarëve, Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së i bëri të ditur Ambasadorit grek reagimin e shpejtë dhe efikas të policisë së shtetit, e cila vuri para përgjegjësisë ligjore personat përgjegjës.Gjithashtu, ai informoi se autoritete e pushtetit vendor dhe të policisë së Qarkut të Gjirokastrës kanë marrë kontakte me banoret dhe Kryeplakun e fshatit, që pohuan se ngjarja në fjalë ishte një rast i veçantë dhe se gjendja në fshat është krejt e qetë.Ambasadorit grek iu kërkua që ky rast sporadik të mos ketë asnjë ndikim negativ në marrëdhëniet tona dypalëshe, mbasi përkatësia euroatlantike e dy vendeve tona përjashton çdo fenomen negativ që cenon vlerat e përbashkëta.Në të njëjtën kohë, Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së i parashtroi Ambasadorit grek në Shqipëri shqetësimin e palës shqiptare lidhur me pasqyrimin në faqen zyrtare të Presidencës së Republikës së Greqisë të një njoftimi lidhur me dekorimin e znj. Ermioni Bringu nga Presidenti Papulias, ku konstatohet me keqardhje se vendbanimi i saj është quajtur “Himara e Vorioepirit”.Qirko kërkoi heqjen e menjëhershme të këtij përcaktimi nga faqja e internetit të Presidencës së Republikës së Greqisë, mbasi ky term nuk është koncept politiko-administrativ në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që përdoret rëndom nga qarqe antishqiptare, të cilët, në kuadër të pretendimeve territoriale identifikojnë me këtë term Shqipërinë e Jugut.Ambasadori grek u shpreh në takim se do të informojë menjëherë autoritet e Presidencës greke për të bërë korrigjimin përkatës.Ndërkaq, 2 ekspertë të Avokatit të Popullit kanë mbërritur sot në Dropull për të verifikuar rastin e dhunës ndaj minoritetit grek. Ekspertët do të zhvillojnë takime me autoritetet lokale dhe përfaqësues të policies.