Paloka: Deputetët e "Sigurisë" në Lazarat për të parë situatën

Tiranë- Edhe pse në bojkot, Partia Demokratike do të nisë grupin e saj të deputetëve të Komisionit të Sigurisë për të parë nga afër atë çfarë po ndodh në Lazarat pas tensioneve të djeshme.Një fakt të tillë e bëri të ditur kreu i grupit parlamentar Edi Paloka. Sipas tij, në kushtet e një mungese të plotë transparence nga drejtuesit e policisë, deputetët do të mbledhin informacion për atë që po ndodh me banorët e atij fshati.“Lidhur me ngjarjet në Lazarat, ne po i ndjekim me shqetësim të madh. Për më tepër, në kushtet e një mungese të plotë transparence nga drejtuesit e policisë dhe të Ministrisë së Brendshme.Për të qënë më të saktë dhe për të mbajtur një qendrim më të saktë, ne do të nisim aty një grup deputetësh nga Komisioni i Sigurisë, të cilët do të bëjnë detyrën e tyre si deputetë për të vëzhguar zhvillimet e fundit në fshatin Lazarat dhe të marrin informacion në Drejtorinë e Policisë, për atë që realisht po ndodh me banorët e atij fshati” tha Paloka.Sipas Palokës,Partia Demorkatike ka informacione të shumta nga banorët që flasin për gjendje tepër shqetësuese në atë fshat.Situata sot në fshat paraqitet e qetë, pavarësisht paralajmërimeve në rrjetet sociale për bojkotim të mësimit nga nxënësit e shkollave të Lazaratit.Të tri shkollave të Lazaratit u kërkohet të bojkotojnë mësimin dhe të dalin në qendër të fshatit për të protestuar për lirimin e të ndaluarve. Lazaratasit kërkojnë dhe largimin e policisë nga qendra e fshatit.