Manjani lexon progres-raportin: Shuplakë, kemi shtet të politizuar

Tiranë- Ka kaluar vetëm një ditë nga raport-progresi i Komisionit Europian për Shqipërinë dhe klasa politike është ende në betejën e deklaratave për të larguar topin nga fusha.Për nënkryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, nga ky raport nuk pati të fituar. Ylli Manjani thotë se ajo çfarë u artikulua dje në Bruksel ishte një shuplakë për shtetin shqiptar.Në emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora News me gazetarin Enkel Demi, Manjani thotë se problemi në vendin tonë qëndron tek politizimi i shtetit. Përgjegjësitë për këtë situatë sipas tij janë të të gjithëve.“Është një virus kjo puna e raporteve, sa herë ka një raport nga BE ngjan si ato gratë që mblidhen për vaki që nuk qajnë atë që ka vdekur po qan secili hallin e vet. Duket sikur nga raporti pozita del gjithmonë mirë dhe opozita del gjithmonë keq. Në fakt e vërteta është se marrëdhënia jonë me BE është matematikë, nuk është as politikë, as emocion, as mik, as dashamirës as dashakeqës. Ka disa kritere që o i plotëson, ose ngelesh në klasë.Dhe ky raport nuk ka të bëjë as me mazhorancën as me opozitën. Edhe ky raport nuk ka thënë që as këtej nga mazhoranca janë burra të mira dhe as nga opozita janë burra të mirë dhe anasjelltas. Është një raport që vlerëson ecurinë e shtetit shqiptar jo të pushtetit në Shqipëri. Kam parasysh institucionet, kam parasysh më së pari gjykatat, instititucionet tek mënyra si bashkëveprojnë, si funksionojnë jemi ende larg standardeve të BE.Kjo është e dukshme dhe e prekshme dhe nuk ka rëndësi fare se çfarë mendon një grup politik për hesape të veta. Nëse grupet politike do vazhdojnë të mendojnë kështu progresi në raport me shtetin do jetë shumë i ngadaltë. Problemi është therës, shteti shqiptar është difiktoz.Qytetari shqiptar nëse ka një problem nuk ka ku të trokasë dhe dera ku duhet të trokasë është gjykata. Nuk është problem për ta hequr problemin nga vetja .Por shteti si mekanizëm është difektoz. Punoj dhe merrem me politikë. Dhe të them këtë sigurisht që është kontradiktore,por një nga komentet është që shteti shqiptar, pra institucionet janë të politizuar”.Reforma në drejtësi është kali i Trojës për “revolucion” të brendshëm dhe të jashtëm. Përtej batutave politike hiqi-futi duart në drejtësi, Manjani thotë se shteti, më së pari gjykatat kanë nevojë për ndërhyrje të thellë.“Kemi probleme me politizimin e shtetit. Institucionet pra i ndërhyn politika, i menaxhon, i preson dhe lëvizin vetëm me urdhër politik. Dhe ky është fakt, nuk ka pse të na e thotë Fyle. Si do të ndryshojë? Ka disa mënyra, sigurisht që politika ka një rol për të luajtur. Kanë qenë dy qasje deri më tani, flas për reformën në drejtësi, qasja në kuptimin si do të hyhet.Ka qenë një mënyrë që qeveria edhe për shkak se ka dhe numrat në parlament të shpallte një program të saj ndërhyrje dhe të përdorte votat që ka për ta bërë këtë ndërhyrje. Unë kam qenë një nga ata përkrahës të idesë që qeveria duhet ta thotë se çfarë duhet të bëjmë me sistemin e drejtësisë.Megjithatë ka fituar pikëpamja që është më e pjekur në kuptimin politik që të eksplorojmë sa më shumë mundësi konsensusi me idenë që të krijojmë një produkt të përbashkët, jo thjesht një betejë numrash apo deklaratash.Për fat të keq jemi ende tek beteja e deklaratave, disa prej tyre ngjajnë si faqja katër e “Zërit të Populllit” dikur, larg duart nga këtu, futi duart atje, kjo ka mbetë pjesë e batutave politike. E vërteta është që shteti shqiptar, më së pari gjykatat kanë nevojë për ndërhyrje të thellë”.Në 100 vjet jetëgjatësi, Manjani vlerëson se kemi pasur një shtet difektoz, me pushtetarë të forte, por jo shtetarë.“Shteti shqiptar po, pa përjashtim të gjithë sëbashku kemi marrë një shuplakë. Politika është një instrument, ka një kapitull fare të vogël që ata thonë bashkëpunoni dhe mos na çani kokën. Bojkotet, bashkëpunimet, konsensuset janë pjesë e lojës politike. Por thelbi është që të gjithë sëbashku duhet të ndërtojmë një shtet që të ketë disa standarde që ti përafrohet BE.Nëse jemi mashtruesa ne mashtrojmë veten. Të huajve nuk ua hedhim dot. Kjo histori nuk ka lindur sot. Me aq sa njoh historinë e shtetit shqiptar ne kemi qenë difektoz. Kemi 100 vjet shtet dhe ne mbajmë mend vetëm pushtetarë të fortë, shtetarë jo. Të gjithë kanë qenë burra të fortë, të përkrahur nga populli, të rrëzuar po nga populli. Pra populistë, por në kuptimin e shtetit që të funksionojë pa vizionin e udhëheqësit apo pa urdhërin e politikës, unë nuk di të ketë”.Në këtë panoramë kaq gri, zgjidhja më e mirë do të ishte të bënim gati valixhet për emigrim. Por jo për politikanin Manjani.Ne nuk mund të bëhemi argatë të Perëndimit, thekson ai, duke shtuar se sfidë e politikës mbetet kultivimi i kulturës së vlerësimit dhe meritokracisë.“Jo mo jo. Valixhet nuk i bëjmë gati sepse vendi ku jetojmë është më i miri për ne. Nuk ka vend me vital se Shqipëria, nuk mund të jemi argatët e askujt tjetër, pavarësisht se Preëndimi është i bukur. Perëndimin nuk mund ta shohim pafundësisht me syzet e turistit.Duhet të shikojmë me ralitet vendin ku jetojmë. Ka mundësi që të bëhet dhe duhet bërë. Kemi breza pak divers. Nga njëra anë breza të rinjsh që kanë humbur fare nga kultura e velrësimit dhe leximit të librit.Ashtu siç ka një pjesë shumë të mirë të shqiptarëve të mençur që janë shkolluar mirë dhe kanë mbetur tek kultura e librit. Kjo është një lloj përplasje edhe midis të rinjsh. Por ne duhet ta nxisim këtë dhe është detyrë e politikës që të fitojnë gjithmonë më të mençurit, ata që lexojnë, ata që kanë dy ide.Nëse nuk ndërtojmë këtë kulturë që duhet ti hapim rrugë më të zotit, atëherë nuk kemi gjë në terezi”.