Obama e pranon: Ndaj ISIS, mision i vështirë
Gjatë një takimi në Pentagon me zyrtarë të lartë të ushtrisë amerikane, Presidenti Barak Obama pranoi se lufta që koalicioni po kryen ndaj militantëve të Shtetit Islamik është mjaft e vështirë."Sulmet do të vazhdojnë, përkrah partnerëve tanë. Por mbetet një mision i vështirë. Siç e kam thënë nga fillimi, ky konflikt nuk do të zgjidhej për dy javë", tha Obama.Më parë, kundëradmirali Xhon Kirbi deklaroi se ushtria amerikane kishte ndërhyrë nga ajri për të mos lejuar që qyteti strategjik sirian, Kobani, të binte në duart e ISIS. Por ai paralajmëroi se vetëm ato nuk do të shpëtojnë qytetin."Kobani nuk shpëton vetëm me sulme ajrore, por nuk kemi asnjë partner me kapacitetet e duhura për të mposhtur militantët e ISIS për momentin", tha kundëradmirali Xhon Kirbi.Siç raportojnë forcat kurde që po luftojnë nëpër lagjet e qytetit me militantët, ata kanë kapur edhe dy lagje të tjera përgjatë natës, duke sjellë armatime të rënda brenda në qytet. Turqia ka propozuar që të krijojë një zonë neutrale përgjatë kufirit me Sirinë por ideja, edhe pse mbështetet nga Franca, nuk ka marrë miratimin e amerikanëve.Gjatë tri javëve që po luftohet në Kobani, kanë humbur jetën 400 persona dhe më shumë se 160 mijë sirianë janë detyruar të kalojnë kufirin për në Turqi. Disa prej tyre duan të kthehen për të ndihmuar bashkëatdhetarët e tyre të mbrojnë qytetin por nuk lejohen të kalojnë më kufirin nga autoritetet turke. Protestat e tyre janë zhvilluar në shumë qytete dhe gjatë përleshjeve me policinë turke kanë humbur jetën 19 prej tyre.