Panariti pret përfaqësues të familjeve të kthyera nga Greqia: MPJ po ndjek me prioritet situatën

Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti priti sot përfaqësues prej shtetasve shqiptarë të ndaluar mëngjesin e sotshëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës “Elefterios Venizelos”.Ministri Panariti dëgjoi me vëmendje shqetësimet e ngritura nga qytetarët shqiptarë të kthyer nga autoritetet greke dhe garantoi se Ministria e Jashtme po ndjek me shumë prioritet situatën e krijuar.Ministria e Jashtme sqaron se ka paraqitur propozimet përkatëse te pala greke për zgjidhjen e problemit të toponimive, bazuar në praktikat e njohura ndërkombëtare për këtë çështje.Lidhur me këtë cështje edhe kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar Ministrit të Jashtëm Panariti gjatë mbledhjes së sotme te qeverise te negociohet me vendet e BE për heqjen e vulave të ndalimit të emigrantëve shqiptarë gjatë 20 viteve. Kryeministri tha se ata nuk mund te penalizohen nga liberalizimi i vizave në rastet kur janë dëbuar gjatë 20 viteve vetëm për shkelje kufiri dhe jo për vepra penale.Gjatë ditës së sotme autoritetet greke kanë bllokuar sot 14 shqiptarë në aeroportin e Athinës me pretendimin për parregullsi në pasaporta.Sipas informacioneve më të fundit, shkak për bllokimin e shqiptarëve janë bërë emërtimet e toponimeve në pasaportat e tyre.Ditët e fundit është shfaqur përsëri problemi i shkrimit të toponimeve në pasaportat biometrike, pasi autoritetet kufitare greke kanë kthyer një numër shtetasish shqiptarë (kryesisht fëmijë), për shkak se vendlindja e tyre në Greqi është shkruar në shqip e jo në anglisht, siç kërkojnë rregullat ndërkombëtare.Kjo ka ndodhur edhe disa ditë më parë në doganën e Kakavijës ku disa familje shqiptare, mes tyre 15 fëmijë janë kthyer mbrapsht ku sërish si pretekst janë nxjerrë toponimet.