Komisioni i Medias, Peza: Opozita e mirëpritur në proces, AMA t’i kthehet normalitetit

 Tiranë - Mazhoranca kërkon pjesëmarrjen opozitës në Komisionin e Medias për të zgjidhur ngerçin e krijuar në AMA.Në një intervistë në RTV “Ora News”, përballë gazetares Jonida Shehu, Alfred Peza, nënkryetari i këtij komisioni, tha se ligji e përcakton qartë vijimësinë e procesit dhe se opozita nuk ka arsye pse të mungojë në zgjedhjen e anëtarëve.“Ne e kemi filluar procesin dhe po skualifikojmë vetëm kandidaturat që mendon mazhoranca. Ne jemi duke ushtruar të drejtën tonë për të bërë eliminimin dhe po i japim kohë opozitës, nëpërmjet njoftimeve dhe mbledhjeve, në mënyrë që edhe ajo të vijë të ushtrojë të drejtën e vet. Deri tani nuk ka ardhur dhe ne po vazhdojmë procedurat tona, - u shpreh Peza, - Kemi ligjin e ri, është një ligj ndryshe nga ligji i mëparshëm që zgjidhej drejtëpërdrejt nga partitë politike.Ky ligj ka vendosur filtra shumë të fuqishme pasi të gjithë kandidaturat vijnë në këtë proces të propozura jo më nga partitë politike, por nga shoqatat profesioniste të fushave. Pasi vijnë kandidaturat , partitë politike sipas procedurave që përcakton ligji bëjnë procesin dhe në fund produkti do të dalë po sipas ligjit, ku 3 kandidatura do të jenë të mazhorancë dhe 3 të opozitës. Dikush duhet t’a bëjë procesin dhe procesin e bën ligjvënësi, ligjvënësi në këtë rast jemi ne. Ne i morëm votat, janë qytetarët shqiptarë ata që e kanë përcaktuar këtë”.Nënkryetari i Komisionit të Media u shpreh se AMA duhet ti kthehet normalitetit, kjo si detyrim ndaj opinionit publik, por edhe ndaj ndërkombëtarëve.“Ezauruam të gjitha limitet kohore, të gjitha rrugët politike, të gjitha rrugët institucionale, parlamentare, - tha Peza, - në asnjërën nga këto raste nuk u arrit të zhbllokohej situata. Ne kemi një mandat për të qeverisur, për të bërë reformë, për të ushtruar të gjitha të drejtat dhe detyrimet tona, për t’i bërë institucionet funksionale, për t’i shërbyer opinionit publik shqiptar dhe për të kthyer në normalitet rregullatorin e mediave audiovizive dhe po ashtu Radio Televizionin Shqiptar, pronë e publikut shqiptar.Kjo opozitë nuk ka dashur dhe e ka treguar që nuk do ta zgjidhë këtë çështje. Nga ana tjetër kemi procedurat, ligjin, nevojat emergjente të intitucionit, por mbi të gjitha të opozionit publik, që të zgjidhet një minutë e më përpara kjo çështje. Pasi Shqipëria nëpërmjet këtij institucioni ka dhe disa detyrime ndërkombëtare por edhe përpara opinionit publik shqiptar.Intervista e plotë e Alfred Pezës në Ora News