Termat që shqetësojnë Greqinë, ja çfarë mësojnë nxënësit shqiptarë
Tiranë - Shteti Helen kërkoi që nëpërmjet një komision të përbashkët Shqipëri - Greqi, në tekstet shkollore të hiqet termi "Çamëri" si krahinë shqiptare e cila ndodhet në Greqi.Konkretisht ndryshimet kërkohen të bëhen në Historinë e klasës 9. Në kapitullin Shqipëria, Kosova dhe Viset e tjera Shqiptare gjatë Luftës së parë Botërore, në paragrafin Kosova dhe Çamëria shkruhet:"Çamëria u përfshi në gjendje të vështirë me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore që u shoqërua me shtimin e dhunës e nënshtrimin e mëtejshëm të popullësisë Çame nga Greqia. Në fund të paragrafit thuhet gjithashtu: Me hyrjen e Greqisë në luftën pro bllokut të Antantës, italianët u larguan nga Çamëria duke i lënë vendin trupave greke të cilat e rikthyhen terrorin e mëparshëm mbi popullësinë vendase.Sipas autoriteteve greke ky paragraf ngjall urrejtje dhe nuk i shërben fqinjësisë së mirë.Ndërsa në tekstin e Gjeografisë së Shqipërisë dhe trevave në fq 8 shkruhet: "Trevat Shqiptare në Republikën e Greqisë shtrihen në Veriperëndim të Greqisë. Ato janë Çamëria, Konica, Kosturi, Follorina, Grebeneja etj.Ky tekst është parë si një propagandë nga deputetët e Greqisë të cilët kërkuan interpelancë me Ministrin e Arsimit grek.Ndërsa në Parlamentin grek ngrihen zërat për ndryshimin e teksteve tona shkollore, PDIU në një deklaratë për mediat ka regauar duke thënë se "Heqja e emërtimit Çamëri nga pasaportat apo aq më keq, nga dokumente shtetërore, tekste historike etj, është e papranueshme dhe do të gjejë përballë kundërshtinë e çdo shqiptari".PDIU shpreh bindjen se Qeveria shqiptare nuk mund të marrë në konsideratë pretendime absurde të palës greke, ndërsa thekson se ky është një debat i stisur nga Greqia.Ndërkohë Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, tha se në nëntor do të vendoset nëpërmjet një grupi të përbashkët pune se çfarë mund të përmirësohet në emër të fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë.