Turqia i shpall luftë ISIS, parlamenti “ok” edhe trupave tokësore

Turqi - Parlamenti turk ka aprovuar autorizimin e përdorimit të forcave ushtarake ndaj militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak. Me 298 vota pro dhe vetëm 98 kundër, parlamenti ka aprovuar vendimin që lejon trupat turke të futen në territorin sirian dhe irakian. Sipas rezolutës do të lejohen edhe trupat e huaja që të përdorin territoret turke për operacionet e tyre.Turqia nuk ka qenë e gatshme për të vepruar ushtarakisht ndaj Shtetit Islamik deri muajin e kaluar, pasi atje mbaheshin peng 46 shtetas turk, por pas lirimit të tyre gjërat ndryshuan.Një ditë më parë, presidenti Rexhep Erdogan mbajti një fjalim në parlament për të shtyrë deputetët që të votonin pro ndërhyrjes ushtarake dhe lejimin e përdorimit të bazave në jug të vendit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Ushtria turke ka vendosur prej kohësh tanket dhe mjete të tjera ushtarake në kufirin me Sirinë, që është 900 kilometra i gjatë, sidomos pas avancimit të forcave të Shtetit Islamik në qytetin kufitar Kobani, që ka detyruar mijëra refugjatë kurdë të kalojnë kufirin.Para votimit, qindra protestues u mblodhën para zyrave të parlamentit për të kërkuar që deputetët të mos e aprovonin rezolutën.