“ALUIZNI shkon te qytetarët”,Rama: Të mbyllim këtë kapitull të tmerrshëm

Pas më shumë se 6 muajsh verifikime në terren të objekteve pa leje, shefi i qeverisë mblodhi mbrëmjen e sotme në një takim grupet e punës së ALUIZNI-t në Tiranë e rrethe.Duke vlerësuar rezultatet dhe ritmet me të cilat ka ecur deri tani procesi, Rama kërkoi më shumë përkushtim për të mbyllur një herë e mirë epokën e paligjshmërisë së ndërtimeve.“Kjo është amullia e fillim viteve ’90 dhe që nuk arritën ta mbyllin për vite të tëra pushtetet e shkuara edhe pse u angazhuan dhe riangazhuan saherë pati fushata elektorale për ta bërë një gjë të tillë.Jo vetëm kaq, por duke mos e mbyllur procesin e vështirësuan dhe e ndërlikuan atë vit pasi viti në një mënyrë jashtëzakonisht alarmante dhe duke krijuar volume të tëra problemesh të reja. Legalizimi ka dy aspekte, formalizimin dhe dhënien fund abuzimit dhe ndërtimit pa leje.Dihet botërisht që një proces legalizimi i hapur që nuk mbyllet është një proces që nxit rritjen e informalitetit. Prandaj ne duam ta mbyllim këtë proces jo vetëm për ti dhënë fund kalvarit të gjatë të dhjetra e mijëra familjeve të cilat prej vitesh presin dokumentin që formalizon investimin e tyre, por dhe për ti dhënë fund epokës së ndërtimtarisë pa leje dhe shkatërrimit të shumë burimeve për të cilat të gjithë duhet të jemi të shqetësuar që ti marrim një orë e më parë në mbrojtje.Rezultatet e para të këtij procesi ngritur mbi parimin bazë të legalizimit falas dhe ndërtuar mbi shërbimin derë më derë të qytetarëve janë mjaft inkurajuese. Por barra është shumë e rëndë, volume shumë i madh dhe ritmi duhet të vijë duke u rritur në mënyrë që jo vetëm të përballojmë realizimin e objektivit që i kemi vënë vetes por dhe ta mbyllim këtë proces”.Në fjalën e tij nuk ka kursyer kritikat në drejtim të qeverisë së shkuar. Rama tha se jo vetëm ecën me hapa breshke, por dhe ato objekte që legalizuan ishin për qëllim fitimi dhe të palegalizueshme.“Është e habitshme sesi në 8 vjet të shkuara u legalizuan në terësi vetëm 21 700 objekte dhe është fatkeqësi kombëtare që pjesa dërmuese e objekteve nuk ishin shtëpitë e njerëzve në hall dhe në nevojë, por ishin ndërtimet më problematike, më dëmtuese dhe më të palegalizueshme për qëllime fitimi, lokale , motele, hotele dhe gjithfarë ngrehinash në anë të rrugëve kombëtare, liqeneve, detit, mu në mes lagjesh”.Skepticizmit dhe akuzave të opozitës për legalizimet falas Rama u dha përgjigje edhe në këtë takim. Ndërsa nuk kurseu dhe batudat, në qendër të së cilës ishin Drejtori i Përgjithshëm i ALUZINI-t Artan Lame dhe ai i Durrësit, Flamur Gjuzi.“Nuk duhet ti lini në baltë, nuk duhet ti thoni këtë se kam unë dhe shko e zgjidhe në vend tjetër. Filozofia e këtij shërbimi është ti asistojmë këto familje, tua bëjmë gati dosjet dhe tu japim letrën në dorë të mos i lëmë prapë rrugëve, dyerve e burokracive ku natyrisht nuk mungon korrupsioni, dora e shtrirë për të marrë bashishe.Legalizmi falas ka dhe këtë vlerë pasi duke e ditur qartësisht se procesi është falas bie dhe niveli i korrupsionit, siç ka rënë. Nuk kam dëgjuar asnjë rast deri më sot në gjitha takimet që një person të ketë shtrembëruar buzët kur ka ardhur puna tek shërbimi. Rasti më i fundit në Durrës, që nuk ma ha mendja të ketë ndonjë drejtor tjetër në këtë republikë që të ketë marrë më shumë lavdërime.Madje normalisht prisja të lavdëronin Artan Lamen, por lavdëruan më shumë Drejtorin. Shpresoj të mos jetë bërë shkak për një konflikt mes Drejtorit të madh dhe Drejtorit të Durrësit se me të gjithë ato lavdërime Drejtori i Durrësit u bë kandidat për Drejtor të madh.Dhe Lame që shikon armiq nga të gjitha anët shpresoj të mos shohë tek ai një kundërshtar potencial. Me këtë shaka që është gjysma e të vërtetës, mos mendoni se nuk ka të vërtetë brenda, ju them se do kisha shumë dëshirë të vija më shpesh në takime me ju që i shërbeni qtyetarëve në këto zyra”.