S'ndalen punimet në HEC, Ora News dokumenton dëmtimin e banjave të Bënjës
Reziku që i kanoset banjave termale të Bënjës në Përmet me ndërtimin e hidrocentralit në kanionin e Langaricës sa vjen e bëhet më emergjent. Ndonëse Ministria e Brendshme deklaroi më 30 shtator se punimet ishin pezulluar pamjet tregojnë të kundërtën. Grupi i xhirimit i Ora News ishte dje në banjat e Bënjës për të dokumentuar shkatërrin që po i bëhet kësaj zone, ndërkohë që punimet nuk ishin ndërprerë. Ky është një reportazh i përgatitur nga gazetarja jonë në Gjirokastër Brikena Meta.Përmet- Pak metra pas kthesës që të çon drejt banjave termale të Bënjës përballesh me kantierin e punimeve për hidrocentralin e Langaricës. I kthyer në temën e ditës këtë hidrocentral dhe të mirat e të këqijat që sjell me vete, i ndeshim që në pamjen e parë.Nuk të duhet shumë të shohësh mes gjelbërimit skeletin e një hidrocentrali, ndërsa më poshtë shtrati i dikurshëm i lumit është i pushtuar nga makinat e rënda, ndërsa uji dikur kristal i lumit të Langaricës ngjan me një pellg të errët uji të ndotur.[caption id="attachment_391816" align="alignleft" width="640"]
Në foto: Punimet në kantierin para se të shkosh në Bënjë[/caption]Të gjitha këto janë sinjale tepër të zymta e aspak shpresëdhënëse për atë që mund të na presë në Banjat e Bënjës.Fotot që kanë pushtuar rrjetet sociale dhe zëri i shoqërisë civile që prej kohësh rebelohet kundër këtij shkatërrimi mjedisor, na kanë bërë të njohur me situatën dhe atë që na pret.Ndalesën tonë të parë e bëjmë në “Shpellën e pëllumbave” aty ku gjurmët e dëmtimit janë ende të freskëta. Stalaktitet disavjeçare janë këputur si pasojë e tronditjeve nga minat e hedhura për ndërtimin e hidrocentralit.[caption id="attachment_391818" align="alignleft" width="640"]
Në foto: Shpella e Pëllumbave[/caption]Ecim më tej në brendësi të kanionit ku mrekullitë e natyrës të lenë pa fjalë. Rruga që duhet të përshkojmë është e vështirë, por uji i paktë i lumit dhe shtrati pothuajse i thatë na i lehtëson disi punën edhe pse duhet të shkelim herë mbi guriçka e herë mbi shkëmbinjtë rrëshqitës.[caption id="attachment_391822" align="alignleft" width="640"]
Në foto: Rruga ku kalon përmes lumit dhe të çon te "Burimi i Priftit"[/caption]Të etur, por pa asnjë mundësi për të shuar etjen. Uji i lumit rrjedh i turbulluar para nesh, ndërsa era e sulfurit e vështirëson akoma më shumë situatën.Peizazhi mahnitës na lë pa fjalë. Gjelbërim pafund, shpella, kanione, një natyrë tërësisht e virgjër sa të duket sikur jeton në një tjetër kohë, në një tjetër realitet.Ne vazhdojmë të ecim më në brendësi të kanionit në kërkim të Burimit të Priftit, më i largëti nga burimet, që ndodhet thellë brenda kanionit. Vendasit e cilësojnë si burimin me vlera universale. Sipas legjendës, një prift i sëmurë, i mbështjellë kokë e këmbë me batanje dhe krejtësisht i paralizuar, me dhimbje të forta në stomak e në pragun e vdekjes, u shërua pasi u zhyt dhe piu ujë nga ky burim. Pasi qëndroi disa ditë në këto ujëra, prifti u ngrit në këmbë, krejtësisht i shëruar. Prej asaj kohe ky burim çudibërës mban emrin “Burimi I priftit”.[caption id="attachment_391817" align="alignleft" width="640"]
Në foto: Gazetarja Brikena Meta në "Burimin e Priftit"[/caption]Pasi ecëm gjatë, dallojmë burimin e tharë ku uji nuk rrjedh më. Na duhet të përshkojmë lumin që në këtë pjesë është më i rrëmbyeshëm, për të shkuar në destinacionin tonë, por mbërritja aty është më e dhimshme sesa e mendonim. Burimi krejtësisht i tharë, asnjë pëllëmbë tokë e lagur, uji ka shteruar plotësisht. Ende janë të mbetura aty gjurmët e vizitorëve të fundit të këtij burimi, ndërsa si kujtim i asaj që ka qenë dikur, ka mbetur vetëm një tabelë për mbajtjen pastër të ambientit, gjysmat e fjalëve të së cilës janë të shuara.[caption id="attachment_391823" align="alignleft" width="640"]
Në foto: Ja si është tharë "Burimi i Priftit"[/caption]Ndërsa marrim rrugën e kthimit, në burimin që ndodhet pranë Urës së Katiut, ndeshemi me një grup të rinjsh nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, mes së cilëve ka edhe vizitorë italianë. Banjat e Bënjës është një ndër pikat më të vizituara turistike të zonës, një burim i pashtershëm jo vetëm natyror, kulturor, por edhe turistik. Vizita në këto burime është organizuar nga CESVI, një OJF që prej vitesh operon në Përmet duke i bërë kësaj zone promovimin më të mirë të traditave dhe turizmit të zonës. Përfundimi i infrastrukturës rrugore ka rritur edhe interesin e të huajve të cilët vlerësojnë bukuritë e pezazhit dhe cilësitë kurative të këtyre ujërave.Para se të kalojmë shtegun që të çon në burim, përballemi me pirgun e mbeturinave që me sa duket është një veçori tipike shqiptare, fenomen që nuk mbetet pa rënë në sy të turistëve.Luka është një i ri italian i cili vjen rregullisht në këto burime, ndërsa nuk ka mundur të mos vëjë re pasojat e ndërtimit të hidrocentralit. Ai thotë se nëse situata vazhdon e tillë ka gjasa përkeqësimi dhe ndikimi negativ jo vetëm në ambient, por edhe në turizëm, do të jetë I pashmangshëm.[caption id="attachment_391824" align="alignleft" width="640"]
Në foto: Pamje nga "Burimi i Priftit"[/caption]“Është një vend shumë i bukur. Ka një potencial shumë interesant turistik e natyror. Më pëlqen shumë dhe vij sa herë më jepet mundësia. Burimet termale që shërbejnë për kurime të ndryshme, janë gjëja më e veçantë. Ky vend është pjesë e një parku kombëtar e cilësuar si zonë e mbrojtur që është i dyti më i njohuri në Shqipëri. Siç edhe mund ta shihni ka problem me mbeturinat, ndërsa hidrocentrali po shkakton shqetësim në zonë me hedhjen e minave që dëmtojnë peizazhin, sidomos burimet që mund të ndikohen drejtpërdrejt. Ky është një faktor negativ para së gjithash për ambientin që po dëmtohet dhe kjo ka pasojë të drejtpërdrejtë mbi turizmin I cili është shumë I rëndësishëm në këtë zonë që ka vërtet potencial të shfrytëzueshëm turistik dhe që mund të krijojë vende pune për banorët. Duke ardhur për këtu shihet qartë që po punohet dhe po gërmojnë në lumë dhe ky është një ndikim negativ për syrin e turistëve të huaj. Pra unë mendoj se punimet e hidrocentralit mund të kenë ndikim negativ në të gjithë këtë zonë”, thotë ai.Në rrugë ndeshim banorët, një pjesë e të cilëve nuk pranojnë të dalin në kamera, të zhgënjyer nga mungesa e vëmendjes ndaj zërit të tyre, ngritur në vite. “E përse të flasim, është e kotë - shprehen ata. Asgjë nuk ndryshon”. Por ka edhe prej tyre që nuk ngurojnë të rebelohen ndaj shkatërrimit që po i ndodh jetës së tyre. Sepse banorët e kësaj zone e identifikojnë veten, vazhdimësinë e jetës së tyre me vazhdimësinë e pasurive natyrore të kësaj zone që natyra i ka faluar kaq shumë.[caption id="attachment_391825" align="alignleft" width="640"]
Në foto: Ura në Bënjë[/caption]Të parët që i fikësohen pasojave të tharjes së burimeve të Bënjës janë bizneset e zonës që e kanë ndërtuar mbijetesën e tyre mbi fluksin e turistëve që vizitojnë këtë zonë.Ndërsa deri një ditë më parë puna në kantierin e ndërtimit të HEC të Langaricës vijonte më të njëjtat ritme, pavarësisht pohimit qeveritar se punimet janë pezulluar, ditën e sotme një grup pune i Ministrisë së Energjisë dhe asaj të Mjedisit është drejtuar drejt Banjave të Bënjës për të parë nga afër situatën dhe inspektuar punimet në hidrocentral.Ndërkohë që të gjithë presin me ankth rezultatet e këtij inspektimi, burimet termale të Bënjës, ky fenomen i rrallë natyror, rrezikon dëmtimin e pakthyeshëm. Atë që natyra e ka falur me aq bujari, dora e njeriut po e shkatërron përdhunshëm.