Gjosha takohet me Drejtorin e Zgjerimit në KE, diskutohen reformat dhe proçesi i integrimit

Tiranë - Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha zhvilloi sot një takim pune me Drejtorin e Drejtorisë së Zgjerimit në Komisionin Evropian, Jean Eric Paquet. Takimi i cili zgjati për rreth dy orë në ambientet e Ministrisë së Integrimit Evropian, kishte në fokus mbarëvajtjen e reformave të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit Evropian.Paquet, vlerësoi progresin e bërë, por theksoi së marrja e statusit të vendit kandidat, ashtu sikurse ishte një arritje e madhe e ngarkon Shqipërinë me një përgjegjësi edhe më të lartë, për të dëshmuar se vendimi pozitiv u mor në momentin e duhur.“Shqipëria duhet të bashkojë të gjitha forcat për të çuar përpara procesin e integrimit. Gjithpërfshirja është e domosdoshme. Vendi ka bërë progres, por përpjekjet duhet të vazhdojnë në të gjitha fushat”,- tha Paquet gjatë takimit.Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha falenderoi Komisionin Evropian për mbështetjen e dhënë për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe shprehu gadishmërinë e angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare, për të avancuar me axhendën Europianë.“Mbështetja e Komisionit ka qenë dhe mbetet e një rëndësie të veçantë për ne, në çdo hap që Shqipëria ka hedhur, gjatë procesit të integrimit. Marrja e statusit të vendit kandidat na shton vendosmërinë për të vazhduar më tej këtë proces”,-tha Ministrja Gjosha.Pesë prioritetet e lëna nga Komisioni Evropian, ishin pjesë e diskutimeve gjatë takimit, ku theksi u vu sidomos tek reforma në drejtësi e konsideruar thelbësore për të ardhmen e vendit.Ministrja e Informoi Paquet edhe për Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian. Ajo e vuri në dijeni për vendimin e marrë nga Komisioni i Integrimit Evropian, për të shtyrë ngritjen e këtij Këshilli deri në një moment të dytë, me argumentin se opozita duhet të jetë patjetër pjesë e këtij Këshilli i cili në themel të funksionimit të tij ka gjithpërfshirjen.