Priten arrestime dhe në Shqipëri, Llalla takim urgjent me homologun kosovar
Kosovë- Arrestimi për nxitje të xhihadizmit i klerikëve të lartë myslimanë në Kosovë, ka sjellë tronditje edhe në anën tjetër të kufirit shqiptar.Burime të besueshme hetimore kanë lënë të kuptohet se operacione të ngjashme me ato të shtetit fqinj mund të çojnë në prangosje klerikësh edhe në Shqipëri.Kjo përforcohet edhe nga shkëmbimi i informacioneve hetimore mes dy Prokurorive që kanë pasur edhe hetime të përbashkëta kohët e fundit për të gjitha rastet e personave që luftojnë në Siri dhe Irak.Një fakt të tillë e bën edhe më të besueshëm një takim urgjent dhe i paplanifikuar i kryeprokurorit Adriatik Llalla në Prizren me homologun kosovar Sylë Hoxha.
Dy drejtuesit e hetimit shqiptar këtej dhe matanë kufirit kanë pasur një fokus special dhe urgjent diskutimi: arrestimet e fundit të të dyshuarve si arkitektë të rekrutimit të xhihadistëve në Siri e Irak.Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se fokusi i bisedës ka qënë pikërisht kjo çwshtje."Në një takim të zhvilluar ditën e Mërkurë (dt.17.09.2014) në Prizren, drejtuesit e institucioneve hetimore theksuan rëndësinë e bashkëpunimit, sidomos sa i përket trafiqeve të natyrave të ndryshme dhe çështjeve që lidhen me përfshirjen e qytetarëve të ndryshëm në konflikte ushtarake janë Europës.Z. Llalla dhe z. Hoxha theksuan vullnetin maksimal për vijimin e hetimeve të përbashkëta kundër grupeve kriminale që shfrytëzojnë lehtësirat kufitare për të zhvilluar veprimtarinë e tyre të paligjshme."Ky takim urgjent vjen në një kohë plot zhvillime, kur ndërmjet Prokurorisë së Shqipërisë dhe Prokurorisë së Kosovës është intensifikuar ndjeshëm shkëmbimi i informacionit dhe goditja e strukturave kriminale, në bashkëpunim edhe me agjenci të tjera partnere ndërkombëtare.