Asnjë banesë sociale deri në fund të 2014, Gjermeni: Kredi vetëm për ata që janë në proces

Edhe këtë vit të pastrehët në të gjithë vendin nuk do të kenë mundësi të sigurojnë një vend për të fjetur. Kjo pasi skema e kredive për banesa sociale do të vazhdojë të mbetet e bllokuar edhe për këtë vit. Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni pranoi se strehimi mbetet problem i mprehtë pavarësisht angazhimit.“Jemi të ndërgjegjshëm që kjo nuk zgjidhet menjëhërë, jemi treguar shumë të kujdesshëm edhe në pjesën e dhënies së kredive duke parë mundësinë sipas buxhetit të shtetit sipas subvencioneve që ne na janë dhënë, për të mos tejkaluar dhe mos thelluar borxhin e thellë që gjetëm. Pra duke dhënë kredi me 0 % interes”, tha GjermeniPor a ka shpresë për këtë kategori familjesh që vitin e ardhshëm të marrin kredi të buta? Kjo do të varet nga buxheti që shteti do të vërë në dispozicion gjatë 2015. Doris Andoni drejtoresha e Entit të Banesave e përcakton këtë problem si një çështje të prekshme dhe jashtë kamerës pranon se ngërçi mund të mbetet i pazgjidhur nëse nuk do të ketë më shumë para në dispozicion të kësaj çështjeje.“Ka një paradoks që në treg ka banësa bosh, pra duket sikur tregu ka investuar në investime jo efiçente”, tha Andoni.Bashkëpunimi me shoqatat e ndërtuesve për të blerë stoqe ndërtimesh aktualisht duket se nuk ka funksionuar pasi çmimet nuk janë të përballueshme nga shteti. Pavarësisht kësaj ministrja u shpreh se stoqet e ndërtimeve janë ende një mundësi.“Ne kemi parë mundësinë dhe do ta shikojmë mundësinë edhe me shoqatën e ndërtuesve edhe me të gjithë firmat ndërtuese për të parë edhe mundësinë për të blerë apartamente të cilat janë stoqe për të zgjidhur situatën e qytetarëve në nevojë”, u shpreh Gjermeni.Ministrja i bëri thirrje vendorëve që të japin kontributin e tyre në çështjet e strehimit.