Fier, shpërthim gazi nga pusi i naftës në Verri, evakuohen 15 familje

Fier -Shpërthimi i një pusi nafte në fshatin Verri të Komunës Mbrostar në Fier shkaktoi frikë tek më shumë se 200 familje. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në të cilën shpërthimi i pusit ka përhapur aromën e naftës duke e bërë të padurueshëm qëndrimin në zonë. Rreziku më i madh qëndron tek fëmijët, që kanë shfaqur shenja të helmimit nga gazi.Grupet e punës të Albpetrol dhe kompanisë “Bankers Petrolium” ndodhen afër pusit për të bërë të mundur izolimin e tij, rrjedhja e të cilit vijon ende.Banorët e zonës tregojnë shpërthimin që kanë dëgjuar dhe evakuimin e 15 familjeve që ndodhen rreth 300 m larg nga pusi. Janë vetë banorët e zones, që tregojnë se tek pusi është e ndaluar të kryhen punime, por ky rregull nuk është zbatuar, sepse gjithmonë ka patur punime për nxjerrjen e naftës.“Kjo gjendje është shumë e rrezikshme, - tha një prej tyre për "Ora News". - Me një frymëmarrje, po të jesh atje afër, bie, si puna e asaj pulës së therur. Rreth 15 familje që ishin këtu afër, u larguan, sepse këtu bie vetëm “grahmë”. Nëse puset nuk janë duke u punuar, ato duhen mbyllur me argjilë.”Një tjetër banor tha: “Shyqyr që nxitova një çikë, se desh më bllokoi gazi në vend. U bllokua e gjithë rruga e unë ngeca. Ky ajër të vë në gjumë dhe të le pa ndjenja. Ndihemi të rrëzikuar, shumë.”Burime nga kompania kanadeze “Bankers Petrolium” bënë të ditur se nuk ka patur punime nga ana e tyre, ndërsa dyshojnë për një tentativë vjedhjeje.Banorët e zonës janë evakuar nga zona prej mbrëmjes së djeshme te të afërmit e tyre, ndërsa era e gazit ndihet kudo në fshat. Për këtë arsye, ditën e sotme, është pezulluar edhe mësimi në shkollën e bashkuar “Vasil Sota” në Verri, duke qënë se pusi nuk është izoluar ende. Rrugët që të drejtojnë drejt tij janë bllokuar nga punëtorët e sigurisë, ndërsa situata vijon ende që të jetë e rrezikshme.ar.sh/Oranews.tv