"Fullani" në “Tonight”,ekspertë e analistë: Arrestimi i nxituar, çështja të hetohet në themel. Ku shkuan paratë?
Guvernatori i BSH-së, zyrtarisht ende në detyrë, Ardian Fullani, la sot qelinë e burgut pas 10 ditë arrestimi, duke kaluar në arrest shtëpiak.Në “Tonight Ilva Tare” në RTV Ora News, analistë dhe ekspertë të ekonomisë dhe sigurisë argumentuan qëndrimet e tyre pro dhe kundër arrestimit dhe më pas lirimit të Fullanit.Altin Hoti, ekspert i ekonomisë në financë dhe tregtinë ndërkombëtare pohon se për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë, Ardian Fullani eshtë moralisht dhe institucionalisht fajtor. E konsideron ngjarjen një akt te rëndë me pasojë për kredibilitetin ndaj institucionit.Megjithatë sipas tij vendimi i Prokurorit për të arrestuar Guvernatorin ishte i nxituar. Sipas tij izolimi i Guverantorit pas një muaji nga bërja publike e skandalit të vjedhjes ishte shumë i vonë.“Për mua ishte një risi e sistemit gjyqësor shqiptar. Si jurist, për mua ky arrest duhet të ishte menjëherë sapo ndodhi ngjarja në BSH. Qëllimi i këtij arresti shtëpiak ishte e para dorëheqja e Fullanit nga pozicioni i Guvernatorit dhe e dyta të mos i jepej mundësia atij që të ndërhynte apo manipulontre me provat apo dukumentarët në BSH. Masa e sigurisë është një mënyrë që siguron dhe vetë personin fizikisht. Nuk di të flas se çfarë kanë pasur në mendje gjyqtarët kur kanë marrë këtë lloj vendimi, por vendimi i Prokurorit ka qenë i nxituar për arrestimin e Fullanit, duhet të ishte më i shpejtë, pas një muaji që u bë publike vjedhja ishte shumë vonë për të kryer këtë lloj akti për të izoluar Guvernatorin që nuk përbën ndonjë rrezik për publikun”.Enkel Demi Drejtues i “Dite e Re” dhe editorialist i emisionit Tonight Ilva Tare shprehet se për drejtësinë Ardian Fullani ka të njëjtën vlerë si në burg ashtu dhe në shtëpi, pasi sipas tij nuk është thelbësore se ku gjendet Guvernatori.Thelbi i çështjes qëndron në atë çfarë tha Ambasadori amerikan që procesi po politizohet.“Unë e prisja lirimin, arrestimi ishte populist dhe i panevojshëm, për mua Ardian Fullani nuk duhet të ishte arrestuar. Aq më tepër mënyra si u përdor, në mesnatë ajo kamera e policisë që kaloi në disa televizione që duhej të kalonte.Më krijoi përshtypjen që Fullani ishte viktimë e gjithë asaj atmosfere dhe atij presioni që krijua në rrjetet sociale, pasi presioni politik ka filluar një javë më vonë. Vlera e Fullanit si personazh në gjithë këtë lojë është e njëjtë si në burg, si në shtëpi.Në Shqipëri kjo puna e prezumimit të pafajësisë, tani sido që të shkojë gjyqi, ne si popull që jemi njerëz që kemi jo vetëm opinione por të japim vendime për 5 minuta bisedë, e kemi dënuar fajtor Fullanin.Sikur të dalë i pafajshëm ndonjë ditë do ti hidhemi drejtësisë, do i themi që ky ishte fajtor dhe ju e bëtë të pafajshëm. Ekspozimi i Fullanit ndaj publikut ishte që ky me gjasë të gjendet fajtor edhe me shpejtësi rrufe. Nëse kemi të bëjmë vetëm me çështjen e vjedhjes së Bankës , Fullani ka shumë pak gjasa që Fullani të ketë gisht. Ai është administrator, mund të njihet me kontrollet, mund të ketë shkelje administrative, por që të ketë gisht në vjedhje më duket gati e pabesueshme. Por nëse e kanë ndaluar Fullanin që të nxjerrin elementë të tjerë, siç është kjo puna e kontrolit të KLSH, fjala vjen për ish-Hotel Dajtin që me sa di unë është privatizim i bërë prej shumë vitesh, jo dje. Mos gaboj tre vjet përpara, KLSH e nxjerr në 2014.Dhe nuk është se ka shkuar njeri të pyesë Ritvan Boden sesi është bërë ky privatizim, se ndoshta ky është personazh po aq i rëndësishëm në këtë mes. Qeveria shqiptare kishte nevojë atë kohë për para kesh, ishte e njëjta periudhë e shitjes së borxhit.Është manovër financiare që nuk e gjykojmë dot, pse u kujtuan pas te vitesh ta rikthejnë këtë histori”.Fabian Zhilla, ekspert për krimin e organizuar thekson se vendimet e ndryshme të gjykatave, për çështjen Fullani, në pamje të parë janë një tregues i inkoherencës në sistemin gjyqësor.Është i mendimit se sistemi e hodhi në njërën dorë dhe e priti me tjetrën, ndaj mbetet të shpresohet që sistemi gjyqësor të mos ketë inkoherence në shqyrtimin në themel të çështjes.“Çështja e masës së sigurimit lidhet me aspektin procedurial.Vetë e drejta penale që merret me krimin ka një procedurë rigoroze që lidhet me Konventën e të drejtave të njeriut dhe merr rol parësor. Vetë dënimi apo izolimi i personit është një nga të drejtat themelore të njeriut për këtë arsye ka një proces rigoroz.Në këtë kontekst masa e sigurimit duhet të jetë jashtëzakonisht e arsyetuar dhe ka si kriter bazë e para të mos sjellë dëm të vazhdueshëm, pra dëmtimin e provave dhe izolimin në rast se personi ka rrezikshmëri të lartë për shoqërinë dhe mund të largohet.Është normale që mes gjykatave të ketë mendime të ndryshme. Në rastin konkret do të thosha që pikërisht për ngjarjen e rëndë që ndodhi duhet të kishte një përgjegjshmëri më të lartë që në formën e hetimit. Është një hetim i përmasave jo të vogla. Guvernatori i BSH është arrestuar gati në errësirë, sikur të ishte një vrasës do të thosha. Duke i imponuar publikut sikur këtu fshihet diçka shumë e madhe. Pra shpejtësia në të cilën ndodhi ne pritëm që kemi të bëjmë me një megaskandal.E para ne nuk kemi asnjë vendim të Prokurorisë dhe asnjë lloj arsyetimi as nga vendimi të gjykatës së shkallës së parë për rastin e parë, as tani. Kemi një deklaratë të ftohtë të Prokurorisë dhe kemi një deklaratë të prokurorit të përgjithshëm që thotë se do kemi arrestime dhe goditje të figurave të larta në institucionet publike. Por jemi tek pjesa e shoët. Fryhet një balonë dhe pastaj shfryhet. Kemi diçka përtej sistemit gjyqësor.Fillimisht u krijua ideja që kemi të bëjmë me një skandal përtej vjedhjes.Sepse në momentin që Guvernatori izolohet do të thotë që ai ka patjetër lidhje të drejtëpërdrejtë me provat, me fshehjen e provave me manipulimin e njerëzve, ose rrezikohet jeta megjithatë nuk duhet të arrestohet me burg, duhet të sigurohet në forma të tjera”.Aleksandër Çipa gazetar dhe analist shprehet se për procesin e hetimit të vjedhjes nga brenda të thesarit të Bankës së Shqipërisë, nuk ka rëndësi të dorës së parë masa e sigurisës e vendosur ndaj Guvernatorit, por hetimi i destinacionit të parave të zhdukuara, për të cilat nuk dihet ende shuma e saktë.“Pati presion, më i madhi ishte politiko-mediatik.Kemi protagonistë të jetës dhe artikulimit politik që u bënë avokatë të mënyrës, madje ish-Kryemministri Berisha e quajti një akt mafioz, tipik stalinist. U elektrizua debati publik dhe mediatik në një lloj kuptimi. Në rrjetet sociale pati një angazhim dhe ndjeshmëri të lartë qytetare. Por kjo u lidh me një parahistori që kishte të bënte me rezistencën që dëshmoi Guverantori Fullani për mosdhënien e dorëheqjes për rast të rënies së një rrufeje në qiell të pastër, vjedhjen e parave. Alarmi që shkaktoi në opinionin publik që dhe në shifrën e deklaruar paraprakisht është tronditëse dhe nga ana tjetër dyshimet e shtuara për ekzistencën e mundshme të një shume edhe më të madhe sesa ajo e deklaruar. Por në këndvështrimin tim ky debat nuk ka të bëjë thjesht me aktin formal të vlerësimit të masës së sigurisë. Sepse edhe vendimi i sotëm i Apelit dëshmon jo një diferencë qëndrimesh me gjykatën e Faktit, por një politikë selektimi në vendimarrjen e saj. Sepse kemi njëkohësisht edhe një të pandehur tjetër siç është zonja. Golemi e cila mbetet në qeli dhe do presë të përfundojë procesi hetimor dhe pastaj të nisë procesin normal të gjykimit, duke filluar nga gjykata e shkallës së parë. Seanca e zhvilluar jo në prani të mediave nuk ka dhënë mundësinë të ndjekin argumentet e gjykatës për vendimet. Do doja që këto të bëheshin publike dhe të raportoheshin nga media. Mosnjohja me vendimin dhe argumentet juridike nga gjykata e zhvlerëson komentin tonë”.