Britania i bashkohet SHBA: Do jemi udhëheqës në luftën ndaj Shtetit Islamik
Britania do të luajë një rol kryesor në sulmet ndaj Shtetit Islamik. Këtë ka deklaruar Ministri i jashtëm, Filip Hamond, pas konferencës së mbajtur në Paris, ku u diskutua për ndërhyrjet që do të bëhen nga koalicioni në Irak dhe ndoshta edhe në Siri."Është e vërtetë që ekziston mundësia që në të ardhmen të ketë ndërhyrje ndaj Shtetit Islamik edhe në territorin e Sirisë. E kam thënë edhe më parë që nuk është njëlloj ndërhyrja në Irak me atë në Siri. Gjithsesi e sigurt është se Britania e Madhe do të luajë një rol kryesor në sulmet ndaj militantëve terrroristë", tha Hamond për gazetarët në Paris."Konferenca e Parisit si dhe ajo e dhjetë vendeve të Lindjes së mesme javën e kaluar tregojnë se po ndërtojmë një koalicion për të realizuar objektivat tona. Për sa i përket Iranit, e dija që nuk do të përfshihej asnjëherë plotësisht në koalicion, por shpresoj që të paktën të na mbështesë".Hamond shprehu gjithashtu ngushëllimet për pengun britanik të vrarë para pak ditësh, Devi Hejns, por këmbënguli se nuk kishte asnjë mision shpëtimi të planifikuar për pengun e dytë britanik që mbahet nga terroristët, Alan Hening, pasi nuk dihej vendi ku ai mbahej.