Shqipëri-Kosovë me konsullatë të përbashkët në Milano, hapet të martën

Tiranë- Një bashkim Shqipëri-Kosovë nuk dihet kur do ndodhë sado që artikulohet shumë, por një hap tjetër është hedhur në fushën e diplomacisë.Të martën hapet në Milano konsullata e përgjithshme e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Kjo u lajmërua një ditë më parë në Tiranë nga kryediplomatët Bushati dhe Hoxhaj.Ministrat e jashtëm Ditmir Bushati dhe Enver Hoxhaj e konsideruan këtë zhvillim si efekt i një faze të re bashkëpunimi mes dy shteteve shqiptare që prej mbledhjes së përbashkët në Prizren.Ndonëse dy Ministrat nuk dhanë një datë se kur dy qeveritë shqiptare do të mblidhen në Vlorë, siç patën premtuar në Prizren, sipas Hoxhajt pjesa më e madhe e angazhimeve që u morën janë realizuar.Për Bushatin edhe pse në ngërç politik, Kosova duhet vlerësuar për luftën kundër xhihadizmit. Zhvillimet e fundit në dy vendet dhe në rajon kanë qenë gjithashtu temë e diskutimeve.