Ahmetaj: Ideali i Azemit për median e lirë është vrarë bashkë me të

Tiranë – 16 vjet pas vrasjes së Azem Hajdarit, disa nga idealet për të cilat ai sakrifikoi shpirtin dhe jetën e vet, janë vrarë ashtu si edhe ai , mungojnë ashtu si dhe ai ose “janë pushkatuar”, siç thotë Bislim Ahmetaj.Kryetari i Grupimit “Dhjetor ‘99”, ftuar në “Ora News” nga gazetari Edvin Peçi, në kujtim të Heroit të Demokracisë, Azem Hajdarit, ditën e vrasjes së tij, rrëfeu me keqardhje se moralisht, Azem Hajdari është nderuar nga politika dhe nga shqiptarët në tërësi, pa dallim, të majtë e të djathtë, por fatkeqësisht, mjaft ideale, mjaft misione për të cilat ai luftoi, nuk ekzistojnë më, siç është media e lirë apo Televizioni Shqiptar, që nuk i ka përkituar asnjëherë publikut apo të drejtat e ish-të përndjekurve.“Në planin e vlerësimit, - tha Ahmetaj, - Azem Hajdari ka marrë të gjitha vlerësimet e mundshme nga shteti shqiptar dhe nga shumica e qyteteve të Shqipërisë, që nga “Nderi i Kombit” tek “Urdhri i Flamurit”- Urdhër që jepet nga Presidenti; është vlerësuar me Medaljen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga Presidenti Rugova, të cilin e kishte edhe mik, për kontributet e tij në zgjidhjen e çështjes kombëtare, që ka qënë një ndër misionet e tij politike.Po ta shohim në planin tjetër, atë të mungesës së tij të madhe, mund të konstatoj që në të gjitha aksionet në të cilat ai ishte i angazhuar me mish e me shpirt dhe sakrifikoi ndoshta dhe nga vetja e vet, sot nuk kanë një drejtues, nuk ekzistojnë si institucione.Shumica e shqiptarëve e mbajnë mend kur Azem Hajdari ngujohej në grevë urie para Televizionit Shtetëror, që sot e kësaj dite nuk arriti të bëhej pronë e publikut.Dikush tjetër e mban mend kur ai arriti të bëhet kryetar i Këshillit Botues të gazetës “Koha Jonë”, gazetë shumë opozitare në atë kohë për t’i dalë në mbrojtje, shtypit të lirë.Në realitetin e sotëm mund të themi që shtypi vërtet ekziston, por është pronë e një grupi njerëzish që ose janë politikanë, ose janë biznesmenë dhe herë pas here i ndërrojnë këto role. Dua të them që ai misioni i Azem Hajdarit, ai ideal i Azem Hajdarit, sot është “i pushkatuar” në një farë mënyre.Ai gjendej në mes të grevës së urisë së të përndjekurve politikë, asaj shtrese që i ishte mohuar gjithçka për 50 vjet; përkrah tyre dhe në përleshje edhe me policinë e shtetit të asaj kohe, për të mbrojtur të drejtat, që ata i kanë legjitime dhe sot. Sot e kësaj dite, - përfundoi Ahmetaj, - ata janë të padëmshpërblyer, janë të parehabilituar, janë të paintegruar në shoqëri.”Oranews.tv(Video: Intervista e plotë e Bislim Ahmetaj në Ora News)