24 ushtarakë përfunduan trajnimin në Shkollën e Kandidatëve për Oficer të Gardës së New Jersey
Tiranë- 24 oficerë të rinj shqiptarë janë diplomuar pasi përfunduan me sukses programin pilot në Shkollën e Kandidatëve për Oficer të Gardës së New Jersey në SHBA.Zv.ministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, duke iu drejtuar oficerëve të sapodiplomuar se ata e shpërblyen më së miri besimin e dhënë ndaj tyre.“Disa muaj më parë, kur ju u larguat për studime në programin pilot të Gardës Kombëtare të New Jersey, ministrja e Mbrojtjes Kodheli, ju ka thënë dy gjëra të rëndësishme: E para, ju dha besimin se “do të keni të gjithë mbështetjen e saj si ministre e Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm” dhe për këtë po ju siguroj edhe njëherë që kjo mbështetje do të jetë e vazhdueshme nga ana jonë. Së dyti, ju dha një këshillë që pritshmëria jonë ndaj jush është vërtetë e lartë, ndaj bëni gjithçka që duhet, që ne të gjithë të ndihemi krenar me ju. Sot, me të vërtetë që ne të gjithë ndihemi krenar që ju përfunduat me sukses këtë program.Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu tha se veprimi i parë publik i ministres Kodheli sapo u emërua në detyrën e ministres së Mbrojtjes ishte nënshkrimi i letrave të ofertës dhe pranimit për trajnimin e shqiptarëve në shërbimin ushtarak në Shkollën e Kandidatëve për Oficerë në New Jersey dhe në Fort Beening, Xhorxhia.“Një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes ne kemi të diplomuar prej kësaj shkolle në New Jersey këta oficerë, si dhe dy nënoficerë që aktualisht janë duke përfunduar programet e trajnimit në shkollën federale të kandidatëve për oficerë në For Beening, Xhorxhia. Të gjithë këta oficerë duhet të jenë shembuj të përpjekjeve modernizuese dhe të suksesshme të Shqipërisë. Ata do të shërbejnë si një provë që Ministria e Mbrojtjes dhe FA janë serioze në përmirësimin e aftësive të gjuhës angleze, por edhe duke siguruar një trajnim me drejtim amerikan dhe perëndimor”.Oficerët e sapodiplomuar i përshëndeti edhe komandanti i Gardës Kombëtare të New Jersey gjeneral brigade Michael Cunniff.Në përfundim të kësaj ceremonie nëntogere Anita Gruda i dorëzoi zv.ministrit të Mbrojtjes Dritan Hila flamurin e grupit “Black Eagle 001”.Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm zv.ministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i SHBA-së në Tiranë,Alexander Arvizu, komandanti i Gardës së New Jersey, gjeneral brigade Michael Cunniff, gjeneralë dhe drejtorë të drejtorive në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm, atashe ushtarakë të akredituar në Tiranë, përfaqësues të Zyrës së ODC dhe CUBIC, familjarë dhe të afërm të ushtarakëve të diplomuar etj.