Kukës, familjet e përmbytura nga Fierza kërkojnë dëmshpërblim

Kukës-Rreth 5 mijë familje, tokat e të cilëve janë përmbytur nga ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës, kërkojnë të dëmshpërblehen.Ata thonë se çështja e pronave të tyre duhet të zgjidhet, pasi edhe komuniteti Europian i ka kërkuar Qeverisë Shqiptare që ta ketë prioritet. Përfaqësues të shoqatës së familjeve të tokave të përmbytura, janë takuar me Prefektin e Qarkut të Kukësit, Safet Gjici të cilit i kanë kërkuar ndihmë, pasi jetojnë në kushte mjaft të vështira ekonomike, shumica nuk kanë as shtëpi ku të jetojnë.Prefekti Gjici ka kërkuar prej këtyre familjeve që të bëjnë një kërkesë zyrtare me problemet që ata përballen konkretisht, në mënyrë që ai t'ia paraqesë qeverisë shqiptare për zgjidhje.Ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës në vitin 1978, përmbyti Kukësin e vjetër dhe 36 fshatra të rretheve Kukës, Has, Tropojë dhe Pukë. Nga llogaritjet e bëra janë përmbytur më shumë se 3 500 ha tokë bujqësore, rreth 300 ha pyje dhe kullota si dhe qindra hektarë troje.