Hetimet pas përmbytjeve, përplaset Prokuroria dhe Bashkia Fier

Post përmbytja në qytetin e Fierit ka përplasur ndërmjet tyre institucionin e Bashkisë së qytetit me Prokurorinë e Fierit. Gjithcka nisi nga një njoftim i publikuar në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila njofton se Prokuroritë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Fier kanë nisur hetimet për përmbytjet e ditëve të fundit nga shirat në këto qytete dhe rrethinat e tyre.Organi i prokurorisë vendosi të nisi kryesisht hetimet, bazuar në denoncimet e qytetarëve të shumtë nga këto zona, të mbërritura në Prokurorinë së Përgjithshme, përfshirë edhe në adresën elektronike [email protected]. Prokuroria dyshon se autoritetet lokale nuk kanë përmbushur detyrën e tyre për marrjen e masave për përballimin e situatave metereologjike.Hetimet për të vërtetuar dyshimet mbi rastet e “Shpërdorimit të detyrës” po zhvillohen në disa institucione, në Shtabin e Emergjencave Civile pranë Prefekturave të Qarqeve, po ashtu edhe në Bashki, Komuna dhe agjenci të tjera që kanë për detyrë mirëmbajtjen e sistemeve kulluese dhe që kanë përgjegjësi për menaxhimin e situatave të tilla atmosferike.Po ashtu, objekt hetimi janë edhe vendimmarrjet për punime, të cilat kanë dëmtuar apo bllokuar kolektorë e kanale kulluese në këto zona. Po sipas Prokurorisë së Përgjithshme, për llogari të hetimit do të shfrytëzohen edhe informacionet e institucioneve përgjegjëse lokale për masat e marra, për personat përgjegjës dhe për zbatimin e rregullave teknike dhe ligjore në rast e situatave të vështira atmosferike.Nga ana tjetër i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Bashkisë Fier, ku burime per Ora News në këtë institucion kanë hedhur poshtë këtë fakt, duke shtuar se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar nga prokuroria për nisjen e hetimeve. Sipas Bashkisë nga prokuroria thjesht u është kërkuar një detajim i situatës.