Biberaj-Hand: SHBA e shqetësuar për nivelin e lartë të korrupsionit në Shqipëri

Nënkryetari i Frymës së Re Demokratike Aleksandër Biberaj, në vazhdim të vizitës në SHBA, zhvilloi takim me Këshilltarin Politik të Komisionit për Bashkëpunimin dhe Sigurinë në Europë (Komisioni i Helsinkit) Robert Hand.Hand duke njohur dhe ndjekur situatën politike në Shqipëri shprehu shqetësimin amerikan për zgjedhjet e 23 qershorit të cilat duhet të jenë të lira dhe të ndershme, zgjedhje të cilat do të monitorohen nga afër nga SHBA.Hand shprehu shqetësim gjithashtu për nivelin e lartë të korupsionit në Shqipëri dhe pandëshkueshmërinë e tij. Gjithashtu z.Hand shprehu shqetësim për mos-zbardhjen e ngjarjeve të 21 Janarit 2011, ku mbetën të vrarë katër qytetarë shqiptarë.Duke folur për zhvillimet e fundit në rajon, Hand theksoi se politika në Ballkan duhet të shmangë retorikat nacionaliste, pasi problemet e rajonit zgjidhen nëpërmjet dialogut, i cili duhet mbështetur nga të gjitha palët.Z. Biberaj e njohu Këshilltarin Politik të Komisionit të Helsinkit me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin për klimën parazgjedhore si dhe për tendencat e kryeministrit dhe të maxhorancës për të manipuluar zgjedhjet, korrupsionin e lartë të shtrirë në të gjitha nivelet e administratës publike, retorikat nacionaliste si dhe mungesën e shtetit ligjor.