Panariti bisedë telefonike me Terzi: Shqipëria vazhdon të ruajë konstruktivitetin në rajon
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë Guglio Terzi.Të dy ministrat diskutuan rreth situatës në Luginën e Preshevës dhe ndanë mendime lidhur gjetjen e rrugëve për zgjidhjen e problemeve në këtë vend.Ministri Panariti, argumentoi këndvështrimin dhe reagimet përkatëse të autoriteteve shqiptare në lidhje me këto zhvillime. Ai i vlerësoi si të papranueshme cilësimet, nga autoritetet më të larta serbe, të popullsisë shqiptare si elementë terroristë, të cilat dëmtojnë drejtperdrejtë dialogun, mirëkuptimin dhe integrimin e plotë të pakicës shqiptare në jetën politike, ekonomike dhe sociale në Serbi.Njëkohësisht, ministri Panariti, ka theksuar se qeveria shqiptare vazhdon të ruajë konstanten e qëndrimit të saj konstruktiv në rajon, e në këtë kontekst mbetet e angazhuar për të zhvilluar marrëdhëniet me Republikën e Serbisë në interes të të dy popujve, sikurse ka pritshmërinë legjitime që kjo frymë të reciprokohet nga qeveria serbe.Ai nënvizoi, se rruga e dialogut, shmangja e fjaloreve nacionaliste që nxisin konflikte dhe shmangja e veprimeve të njëanshme janë mënyrat e vetme për zgjidhjen e problemeve dhe zhvillimet normale.