Ruli për akuzat e Ansar: Ishte propozim i palevërdisshëm, ndaj e kthyem mbrapsht

Ministri i Bujqësisë Genc Ruli ka reaguar sot lidhur me akuzat e biznesmenit Zafar Ansar, të lëshuara në drejtim të tij në cilësinë e ish-ministrit te Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Në një deklaratë të bërë publike për mediat Ruli deklaron se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që ai drejtonte, si dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, pasi janë njohur dhe kanë shqyrtuar propozimin e paraqitur nga Zafar Ansar janë prononcuar në mënyrë të qartë në atë kohë, duke e konsideruar të paleverdisshëm dhe aspak në dobi të shtetit shqiptar, për shkak të kushteve të ekskluzivitetit që Ansar kërkonte të vendoste si dhe çmimeve të disfavorshme.“Në vijim të disa lajmeve të dalë gjatë ditëve të fundit në disa gazeta dhe televizione, ku i është bërë jehonë akuzave të hedhura nga biznesmeni Zafar Ansar, në cilësinë e ish Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në kohën për të cilën flet Z. Ansar, pra duke patur dijeni të plotë në lidhje me të vërtetën e kësaj “Çështjeje”, dëshiroj të sqaroj opinionin publik si vijon:Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që unë drejtoja, si dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, pasi janë njohur dhe kanë shqyrtuar propozimin (dhe jo projektin) e paraqitur nga Zafar Ansar janë prononcuar në mënyrë të qartë në atë kohë, duke e konsideruar të paleverdisshëm dhe aspak në dobi të shtetit shqiptar, për shkak të kushteve të ekskluzivitetit që Ansar kërkonte të vendoste si dhe çmimeve të disfavorshme që ai pretendonte.Kjo, dhe vetëm kjo, ka qenë arsyeja e refuzimit të projektit. Ishin këta kushte që vendoste Ansar, që e bënin këtë propozim të tijin, ndër më të paleverdishmit dhe më të papranueshmit që kanë mbërritur në adresën tonë. Çdo arsye tjetër e servirur këto kohë, është thjeshtë spekulim i qëllimshëm dhe dashakeq” thuhet në deklaratë.Më tej Ruli thekson se deklaratat që bën sot biznesmeni në fjalë, janë kaq absurde dhe të pavërteta, saqë e vetmja gjë që vjen në mendje, që mund të ketë shtyrë Z. Ansar për t’i nxjerrë nga goja, është kthimi i “borxhit” ndaj atyre që e bënë konsull nderi para vitit 2005.