Gjirokastër, Veliaj: Parku i Viroit do të jetë mushkëri e re për qytetin

Gjirokastër - Ministri Veliaj është rikthyer në vendlindje ku ka inspektuar punimet në Parkun e Viroit në Gjirokastër, si edhe rikonstruksionet e 30 rrugëve tradicionale me kalldrëm që po kryhet nga mjeshtrat.Sipas tij, kur projekti i Parkut të Liqenit të Viroit të ketë mbaruar në fund të vitit, ai do të cilësohet një nga projektet më të bukura në Shqipëri."Më vjen mirë që Gjirokastra do të jetë jo vetëm një epiqendër e trashëgimisë kulturore dhe turizmit, por edhe një epiqendër e rinisë, e atyre që merren me sport dhe eksplorimin e natyrës. Parku i Viroit është një mushkëri e re për qytetin" - tha ai.Duke shfrytëzuar fillimin e regjistrimeve në të gjitha shkollat profesionale në vend, Veliaj u bëri edhe njëherë thirrje nxënësve që t'i kthejnë sytë nga arsimi profesional."Shumë prej projekteve ku po investojmë po na tregojnë rëndësinë që ka nevoja për gurëgdhëndës të rinj, për njerëz që kujdesen për trashëgiminë kulturore apo teknikë që punojnë me projektet e infrastrukturës.Prandaj dua të inkurajoj prindërit dhe nxënësit që t'i kthejnë sytë nga arsimi profesional, që një gjeneratë e re djemsh dhe vajzash të kenë mundësi të zbatojnë projekte të tilla" - deklaroi ministri Veliaj.