Rama ngrin 4 vjet ëndrrën e BE: Nuk bëhem dado e PD-së
Tirane- Kryeministri Edi Rama, pas konferencës, në krah të kancelares Merkel dhe presidentit të BE-së Barroso ka biseduar me grupin e Ora News që ndoqi samitin në Berlin.Kreu i maxhorancës foli për ëndrrën e ngrirë të paktën 4 vjet të integrimit në BE dhe ka thumbuar presidentin dhe PD-në.Qeveria nuk do të bëhet “babysitter” i opozitës dhe për Nishanin nuk do ketë gjyle balte nga kryeministria, i tha Rama gazetares Klementina Cenkollari.Klementina Cenkollari: Zoti kryeministër ju kemi parë sot të jeni në rolin e një lideri, për sa i përket rajonit të Ballkanit, krah kancelares Merkel dhe Presidentit të Komisionit Europian, Barroso. Duket se Gjermania ka marrë rolin e lokomotivës për të afruar Ballkanin drejt BE-së. A do të luaj të njëjtin rol edhe Shqipëria?Edi Rama: Gjermania është Gjermania, Shqipëria është Shqipëria. Të mos ndërtojmë iluzione pa vend, por sigurisht që për Shqipërinë është një përgjegjësi e madhe dhe besoj është në të njëjtën kohë edhe kurorëzimi i një historie tashmë të gjatë, në të cilën shqiptarët jo vetëm në Shqipëri, kanë investuar për paqen, për stabilitetin, për sigurinë. Dhe nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që sot rajoni është në kushtet kur ka një mirëkuptim midis të gjithë palëve, se duhet të punojmë për të ardhmen, se duhet të luftojmë papunësinë, se duhet të luftojmë prapambetjen në infrastrukturë, duhet të luftojmë izolimin e rajonit për shkak të mungesës së ndërlidhjeve, të të gjitha llojeve më Bashkimin Europian dhe për këtë do të bashkëpunojmë sëbashku.Klementina Cenkollari: Tashmë është konfirmuar që së paku katër vjet do të jetë jetëgjatësia e kësaj konference e cila morri udhë sot. Cili do të jetë roli konkret i Shqipërisë?Edi Rama: Ne do të shtyjmë shumë fort dhe do të krijojmë sa më shumë kushte për ndërveprim mes vendeve të rajonit, në mënyrë që në të gjitha rastet të jemi në lartësinë e sfidës.Bashkimi Europian dhe Gjermania si një vend lider i BE-së, sot na ka dhënë një mesazh shumë të qartë. Që jemi gati të bëjmë më shumë nëse ju jeni gati të propozoni dhe të argumentoni se si mund të bëhet më shumë. Na takon ne, dhe Shqipëria sot ka paraqitur një plan që është vlerësuar nga të gjitha palët. Mbi atë plan ne do të punojmë për të strukturuar dhe detajuar aspektet që lidhen me implementimin e projekteve madhore.Klementina Cenkollari: Duke mbetur pikërisht tek kjo që ju thatë, tek fakti që të gjitha vendet e Rajonit duhet të plotësojnë disa kritere në mënyrë që ti afrohen BE-së. A rrezikon kjo që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të hipin në të njëjtin tren për të shkuar drejt Unionit Europian dhe ky është një avantazh apo disavantazh për shtetin shqiptar, pasi ne nuk kemi probleme etnike apo probleme të tjera, të cilat mund të ketë në vende të tjera të rajonit?Edi Rama: BE-ja ka problemet e veta sot dhe praktikisht BE ka vendosur që mos ketë zgjerim në katër vitet e ardhshme, por ndërkohë ne kemi arritur që të bindim Gjermaninë, që pavarësisht se nuk ka zgjerim katër vitet e ardhshme, popujt në Ballkan nuk duhet të ndihen jashtë procesit të zgjerimit dhe nuk duhet të ndihen pre e një iluzioni që për ta nuk është një iluzion por është një ëndërr e madhe, ëndrra e Europës. Kështu që ne duhet të ushqejmë aspiratën Europiane me hapa konkretë, me veprime konkrete dhe projekte konkrete. Ky është qëllimi ynë dhe këtu jemi në sintoni me Kancelaren dhe me atë që sot është Bashkimi Europian.Klementina Cenkollari: Edhe sot Kancelares ju i përsëritët që nuk përbën problem fakti që Gjermania e ka përgjuar Shqipërinë. A vijon përgjimi edhe tani?Edi Rama: Unë e thashë dhe e përsëris që në çështjet e sigurisë ne jemi një. Nuk jemi 2, nuk jemi 3, nuk jemi 7, nuk jemi 17. Ne jemi një me të gjithë vendet që janë pjesë e NATO-s dhe që janë pjesë e grupit të shteteve që kanë vendosur të ballafaqohen për të garantuar siguri dhe për tu përballur me terrorizmin, me të gjithë ekseset e së keqes në botën e sotme dhe sigurisht edhe me krimin e organizuar.Klementina Cenkollari: Duke ju përgëzuar edhe një herë për atë rol lideri që i dhatë Shqipërisë, një rol që i kishte munguar prej kohësh, a mendoni se është koha që këtë rol ta luani edhe me liderët politik në Shqipëri? Jemi shumë pranë nisjes së sesionit të ri parlamentar, me një opozitë e cila ka bojkotuar seancat plenare duke akuzuar qeverinë edhe ju personalisht se po i mbyllni gojën.Edi Rama: Se sa ne po ja mbyllim gojën, jeni ju dëshmitarë, që opozita flet shumë më tepër se ne, dhe bën shumë mirë se atë detyrë ka dhe punë tjetër s`ka. Ndërkohë që mos kërkoni nga qeveria që të bëhet “babysitter” i opozitës. Unë kam qenë kryetari i opozitës. Kemi dëgjuar gjithfarë akuzash, poshtërsish dhe nuk do më dëgjoni kurrë duke bërë të njëjtën gjë me opozitën. Nëse opozita zgjedh të shkojë në rrugë të gabuar, kjo është zgjedhja e saj, mban përgjegjësinë e saj dhe përgjigjet përpara zgjedhësve. Nuk është detyra jonë të bindim opozitën se çfarë duhet të bëjë. Detyra jonë është që ta dëgjojmë opozitën, siç e dëgjojmë, por nuk jemi të detyruar as të biem dakort me të dhe aq më pak ti nënshtrohemi axhendës së saj apo ritmit që kërkon opozita në procesin e reformave që nuk do ndalen me ose pa opozitën.Klementina Cenkollari: Nuk keni hezituar në derën e Presidentit të Republikës për një sërë çështjesh. A do të jetë rasti i reformës në drejtësi për t`ju drejtuar sërish Presidentit?Edi Rama: Me presidentin kemi marrëdhënie institucionale, që janë ndërtuar si të tilla, sepse unë jam zotuar që do ti japim fund kohës kur nga zyra e kryeministrit lëshoheshin gjylet me baltë në presidencë, por sigurisht nuk jemi as të detyruar të jemi dakort me gjithçka dhe as të detyruar që të përmbajmë keqardhjen kur Presidenti është për të ardhur keq në ato veprime që bën.Patjetër që do trokasim sa herë që është nevoja për të trokitur dhe do të shkojmë tek Presidenti sa herë ai do të na thërasë dhe do të jetë e nevojshme, por ndërkohë do të jemi shumë të qartë dhe transparent me publikun për çfarë jemi dakort dhe për çfarë nuk jemi dakort me Presidentin e Republikës.Votoni ne Sondazhin e Ora News [poll id="28"](Video: Intervista e plotë e Edi Ramës për Ora News)