Malaj: Po të isha sot Guvernator i Bankës?! Do të jepja dorëheqjen

Tiranë – Ish-Ministri socialist i Financave, Arben Malaj, nëse sot do të ndodhej në vendin e Guvernatorit të Bankës, Ardian Fullanit, do të kishte ofruar dorëheqjen e tij, por, pa e braktisur institucionin në këto momente hetimi dhe analize.Malaj, i ftuar në studion e “Ora News” për ndikimin e Samitit të Berlinit në ekonomi, u pyet ndër të tjera edhe sesi do të vepronte nëse do të ndodhej në pozitat e Guvernatorit Fullani, pas vjedhjes së Bankës së Shtetit. Dhe ai, duke e gjykuar rastin në disa këndvështrime, tha:“Besoj që jo braktisja e institucionit, por afrimi i dorëheqjes në funksion të një analize më të plotë të problematikës, mund të kishte një kontribut pozitiv për kredibilitetin e institucionit dhe për kredibilitetin e vazhdimit të një mandati publik. Por gjithmonë kjo ka të bëjë me individë të ndryshëm. Në vende të ndryshme, për të njejtin problem apo skandal janë mbajtur qendrime të ndryshme.”Duke iu referuar një interviste të dhënë nga një përfaqësues i shoqërisë së hapur në “Zërin e Amerikës”, i cili tha se në Shqipëri na mungon kultura e dorëheqjes, Malaj nënvizoi se “ndoshta ky është një mesazh jo vetëm për këtë rast dhe jo vetëm për Guvernatorin, por herë pas here, në qeverisjen e vendit ka moment kur institucioni i dorëheqjes e ndihmon institucionin më shumë se këmbëngulja për të qëndruar në të njejtin pozicion.”Lidhur me Samitin e Berlinit, që është çështja e ditës, Malaj vlerësoi: “Është një aktivitet që ka si qëllim kryesor të inspirojë liderët e Ballkanit Perendimor të marrin përgjegjësitë e tyre, për të bërë reformat e duhura, duke iu qartësuar që dyert e Europës janë të hapura për Ballkanin Perendimor. E dyta, që në këtë proçes - meqënëse ka ndodhur diçka e re pas zgjedhjeve të Parlamenti Europian - kur për 5 vjet është deklaruar se nuk do të ketë më zgjerim të Bashkimit Europian, është një mundësi e mirë që në këtë kohë të rritet bashkëpunimi në nivel rajonal, për të reduktuar barrierat që vendet e Ballkanit kanë pasur me njëri-tjetrin dhe për të bërë reformat."Intervista e plotë e Arben Malaj në Ora News ar.sh/Oranews.tv