Korça nuk ka më rezerva pyjore, drutë për dimër në Mal të Zi ose Bullgari
Korçë- Prerja e paligjshme e pyjeve në qarkun e Korçës vijon të mbetet një nga problematikat kryesore dhe një luftë e humbur e institucioneve ndaj të paligjshmëve deri më sot.Pavarësisht takimeve që zhvillohen nga viti në vit dhe jehonës që atyre u jepet në media, sërish prerja e pyjeve në zonat e thella vijon pa kriter, duke bërë që ato të shkojnë drejt fundit.Alarmi jepet nga vetë prefekti i Korçës, Ardit Konomi, i cili ndër të tjera ka deklaruar se situata e krijuar ka bërë që të shikohet mundësia e importimit të lëndës drusore për djegie nga Mali i Zi apo Bullgaria,në një kohë kur Shqipëria është ndër eksportueset kryesorë të lëndëve drusore në Greqi.Nga ana tjetër pas ankesave të shumta të qytetarëve në lidhje me blerjen e druve ku subjektet tregtuese abuzojnë me metrot apo kubikët, ka nisur aksioni për gjobitjen e këtyre subjekteve deri në heqje të licensave.Prej vitesh kurora e gjelbërt e qarkut të Korçës është masakruar nga sopatat dhe motorrsekat jo vetëm të individëve, por edhe subjekteve të licensuara, çka ka bërë që tashmë Korçës si një zonë malore dhe me pyje dikur të shumta ti lindë nevoja për të kërkuar mënyra të tjera për sigurimin e lëndëve drusore nëpërmjet importit.Por kjo pritet që të ndikojë në rritjen e çmimit të druve për shkak të kostove të transportit.