“21 janari”, PS akuza Kryeministrit: Pas 23 qershorit drejtësia do të vihet në vend

Partia Socialiste ka akuzuar sërish kryeministrin Berisha dhe kryebashkiakun Basha se kanë penguar mediat të transmetojnë live ceremoninë e organizuar për 21 janarin.Në një konferencë për shtyp, deputeti socialist Sajmir Tahiri theksoi se PS-ja do të bëjë ç`është e mundur që përgjegjësit e 21 janarit të dalin para drejtësisë.“Sot pamë përsëri kryeministrin që vazhdon të përbetohet për drejtësi dhe që drejtësia do të veprojë për 21 Janarin dhe prap është ky njeri që me policinë e shtetit dhe atë bashkiake ndaluan mediat të transmetonin live ceremoninë e Partisë Socialiste. Sot pamë njeriun që dha urdhër për të qëlluar në 21 janar dhe është i njëjti njeri që dha urdhër që të pengojë publikun të shohë të vërtetat e 21 janarit. Ne garantojmë kryeministrin, ish-ministrin e brendshëm dhe të gjithë zinxhirin e gardistëve të verbër se s`do mund t`i shpëtojnë dot drejtësisë, se ne do të bëjmë gjithçka që drejtësia të vihet në vend dhe përgjegjësit të vihen para ligjit” tha Tahiri.Më herët përmes një deklarate, kreu i Policisë Bashkiake, Vullnet Topalli, është shprehur se PS nuk kërkoi leje për futjen e automjeteve te "Pedonalja" dhe se kërkesa e saj duhej bërë 24 orë para aktivitetit.Por PS-ja pretendon se ka kërkuar leje pranë Bashkisë së Tiranës.