Nis rikonstruksioni i rrugës “Brigada e VIII-të” Vasili: Bashkia do t’i kthejë infrastrukturën e munguar njësisë 5
Me një investim prej rreth 29 milionë lekësh, ka nisur puna për rikonstruksionin e rrugës “Brigada e VIII-të”, në njësinë bashkiake nr. 5. Rruga “Brigada VIII” është një segment i rëndësishëm pranë qendrës së qytetit dhe ka një gjatësi 357 metra e gjerësi 6 metra. Zv/Kryetari i Bashkisë Petrit Vasili, gjatë inspektimit të punimeve tha se kjo rrugë është në vazhdën e të gjithë përmirësimeve të ndjeshme që po pëson infrastruktura e kryeqytetit.“Sot, merr përgjigje një aks i cili ishte bërë me të vërtetë problematik, një rrugë 400 metra, me një investim që shkon në 30 milionë lekë të reja. Siç e inspektuam së bashku, rruga shkon në 8 metra gjerësi dhe për profilin që ka merr një pamje të nivelit bashkëkohor, pra me 6 metra gjerësi, trotuare 2 metra. Rruga do të ketë një ndriçim të plotë, i cili i ka munguar kësaj rruge dhe njëkohësisht do të mbillen edhe rreth 100 e ca fidanë të rinj. Në këtë mënyrë rruga do të marrë një pamje normale, ashtu siç i takon një qyteti dhe specifikisht kësaj zone të njohur si ish-Blloku. Pas punëve të rëndësishme në akset e mëdha, në vazhdën e këtij përmirësimi ecin në përgjithësi të gjithë rrugët e Tiranës në këto lloj aksesh, duke u bërë kësisoj jetike për qytetarët e kryeqytetit” – u shpreh Vasili.Koha e përfundimit është parashikuar rreth 6 muaj por kompania përkatëse po punon me një ritëm të lartë, në mënyrë që punimet të përfundojnë më shpejt se afati i parashikuar. Projekti parashikon punime për ndriçimin rrugor, ndërtimin e sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimeve, ndërkohë që ky projekt i cili pason dhe 5 investime të tjera në infrastrukturën e njësisë 5, i paraprin dhe tre investimeve të tjera të parashikuara në këtë njësi bashkiake.“Një tjetër lajm i mirë është se ka filluar puna për projektin dhe mjaft elementë të tjerë, në rrugën paralel “Pjetër Bogdani” e në rrugë të tjera të njësisë bashkiake 5, për t’u krijuar një sistemim dinjitoz i kësaj pjese që është vërtet një ndër pjesët më të frekuentuara të kryeqytetit. Kjo ndërhyrje do të sjellë njëkohësisht jo vetëm lehtësimin e qarkullimit por do të bëjë edhe më të bukur jetën në këtë pjesë të qytetit, e cila tërheq vëmendjen e madhe të qytetarëve, qoftë në ditët e zakonshme, në fundjavë por edhe përgjatë momenteve të tjera. Në këtë mënyrë, marrin përgjigje ato aspekte të konsideruara gjithmonë si pjesë kritike të qytetit, pra duke bërë një lloj prioritizimi të problematikave, ne sot zgjidhim këtu njërën prej këtyre momenteve të veçanta që ka kjo zonë, njësia 5 por edhe elementë të tjerë për të cilët qytetarët e Tiranës me të drejtë shpresojnë se do të përmirësohen” – theksoi zv/Kryetari i Bashkisë së Tiranës Petrit Vasili.