Meta priti Ambasadorin e Shtetit të Katarit, Yousuf Hassen AL–Saai

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta priti sot Ambasadorin e Shtetit të Katarit në Shqipëri z. Yousuf Hassen AL– Saai.Meta, pasi i uroi suksese në punën e tij, i shprehu Ambasadorit AL-Saai vlerësimin e tij për hapjen e Ambasadës së Katarit në Tiranë, duke shprehur besimin se kjo do t’i shërbejë forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy popujve.Kreu i LSI-së nënvizoi se Shqipëria dhe Katari duhet të thellojnë kontaktet dhe shkëmbimet tregtare e ekonomike, në mënyrë që ato të pasqyrojnë nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike mes dy vendeve. Z. Meta u shpreh se duhet punuar në mënyrë konkrete për rritjen e investimeve nga Katari, duke vlerësuar potencialet e mëdha që ofron Shqipëria në fushat e turizmit, energjisë dhe bujqësisë.Ambasadori AL-Saai shprehu kënaqësinë e tij për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes Katarit dhe Shqipërisë dhe e njohu Meta me punën që po bëhet në drejtim të intensifikimit të kontakteve mes dy vendeve, duke theksuar njëkohësisht mundësitë që investimet madhore të Katarit ofrojnë për kompanitë dhe forcën e punës shqiptare.Në përfundim, Meta e njohu Ambasadorin AL-Saai me historikun dhe aktivitetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke theksuar rolin e saj konstruktiv në qeverisje në interes të stabilitetit, zhvillimit dhe bashkëpunimit politik të vendit.