Berisha pro Fullanit: Ai denoncoi, kurse Cani e fshehu arin e vjedhur të Krrabës
Tiranë – Ish-Kryeministri Berisha e ka mbështetur Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullanin në denoncimin e tij për vjedhjen e parave të Bankës në Linzë nga punonjësit e saj duke gjykuar se Fullani ka vepruar sipas ligjit, ndryshe nga ç’bëri paraardhësi i tij Shkëlqim Cani në rastin e vjedhjes së floririt të shtetit në Krrabë.Duke i peshuar të dyja rastet, Linzën me Krrabën, Berisha shkroi në një mesazh në Fb se për vjedhjen e parave në bankës u veprua sipas ligjit, prokuroria nisi hetimet menjëhërë dhe ndaloi disa persona, kurse në rastin e vjedhjes së floririt në Krrabë, edhe pse denoncimi u bë nga vetë Berisha, hetimet u vonuan 6 muaj; guvernatori i atëhershëm Cani mashtroi duke thënë se nuk ka pasur florinj në Krrabë kurse Kryeministri i asaj kohe Meta deklaroi se në Krrabë ka qymyr, por jo florinj.Ja çfarë ka shkruar ish-Kryeministri në Fb, në një bashkëbisedim me miqtë e tij:"Vjedhjen e parave në BSH e konsideroj një krim të rëndë të shëmtuar që duhet ndëshkuar me të gjithë forcën e ligjit.Nga ana tjetër, ky krim i shëmtuar është zbuluar dhe denoncuar nga vetë Banka e Shtetit në Prokurori dhe kjo e fundit ka nisur një hetim të plotë ku deri tani janë arrestuar 7 punonjës të Bankës.Por, për ata që krahasojnë këtë vjedhje me atë të thesarit në Krrabë, më duhet të theksoj se ngjashmëria qëndron se në të dy rastet është vjedhur në kasafortën më të sigurt të shtetit. Por përsëri dallimi është shumë i madh.Në rastin e kasafortës së Krrabës, thyerjen e të cilës isha une që e denoncova publikisht në janar të vitit 2000, Guvernatori i atëhershëm i Bankës së Shtetit, Shkëlqim Cani, për të fshehur vjedhjen mashtroi shqiptarët dhe deklaroi se Banka e Shtetit nuk ka patur florinj në Krrabë, ndërkohë që në Raportin Vjetor të Bankës së Shtetit ai kishte raportuar sasinë e floririt në tunelin e Krrabës. Ish-Kryeministri i asaj kohe, Ilir Meta, fillimisht deklaroi se në Krrabë ka qymyr, por florinj nuk ka.Aso kohe Prokurorët e partisë, Rakipi dhe Sallaku, hapen hetimin vetëm 6 muaj pas denoncimit të vjedhjes dhe arrestuan vetëm denoncuesin e ndershëm, oficerin që më njoftoi për vjedhjen e Thesarit dhe dy fshatarë e asnjeri tjetër.Ndërsa në rastin aktual, të paktën gjer tani, qëndrimi zyrtar i Bankës dhe veprimi i Prokurorisë është i kundërt me qendrimet e mbajtura në rastin e vjedhjes së Thesarit të Shtetit në tunelin e Krrabës, është në përputhje me shtetin ligjor.”ar.sh/Oranews.tv
Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter