Turistët nga Kosova zgjedhin Shëngjinin, pastërti dhe çmime të lira
Shëngjini është një nga destinacionet turistike më të frekuentuara nga turistët kosovarë. Jo vetëm për afërsinë gjeografike, por mbi të gjitha bukuria që ofron ky plazh dhe çmimet e përballueshme, janë arsyet kryesore pse shumica e turistëve e kanë kthyer në një traditë ardhjen me pushime në Shëngjin.Bajram Shalaj, jeton në Zvicër prej vitesh, dhe pothuajse çdo verë vjen t’i kalojë pushimet në Shëngjin së bashku me familjen e tij. Ai thotë se në krahasim me vite më parë Shëngjini po përmirësohet çdo vit e më shumë, si përsa i përket pastërtisë së plazhit ashtu edhe shërbimeve dhe çmimeve që ofrohen për turistët.Nga eksperienca e tij krahasuar me vende të tjera, siç është për shembull Ulqini, çmimet këtu në Shëngjin janë 50 % më lirë. Bajrami ka vendosur që mos e ndërrojë Shëngjinin me plazhe të tjera.Preng Kola prej 25 vitesh jeton në Gjermani. Ka mbetur i kënaqur nga pushimet që ka kaluar në Shëngjin, madje thotë se nuk e ndërron as me Kroacinë dhe as më Italinë.Edhe Dritan Gashi një i ri nga Kosova ka ardhur në Shëngjin me familjen për të qëndruar së bashku disa ditë, thotë se i pëlqen shumë plazhi i Shëngjinit, dhe është hera e dytë që kthehet këtu për të kaluar pushimet. I pëlqen edhe jugu i Shqipërisë por veçse është pak larg.Edhe dy pushuese të tjera vajza, thonë se u pëlqen Shëngjini, është i qetë, i pastër, dhe të tërheq të vish çdo verë.Fundi i muajit korrik dhe muaji gusht është ajo periudhë e sezonit veror që numëron edhe numrin më të madh të turistëve vendas dhe të huaj që zgjedhin plazhet shqiptare për të kaluar pushimet e verës. Tashmë edhe më mbarimin e muajit të Ramazanit, pritet një fluks edhe më i madh turistësh nga Kosova drejt Shqipërisë.Marrë nga Kosovapress