Kosova pa qeveri, palët duan aleatë
Skenarë të ndryshëm po diskutohen në Kosovë, teksa vendi ka mbetur pa një qeveri, që pas zgjedhjeve të 8 qershorit. Duket se punën më të vështirë e ka blloku LDK-AAK-Nisma, që pavarësisht përpjekjeve nuk e ka gjetur ende aleatin me të cilin do të bashkëqeverisë vendin në 4 vitet e ardhshme, për të siguruar numrat për një mazhorancë të fortë.Një ditë më parë u lakua varianti i një qeverie teknike dhe një bashkëpunimi mes PDK-së Hashim Thacit dhe LDK-AAK pa Nismën e Fatmir Limajt. Emri i kryeministrit, ai që do të pranohej nga të treja subjektet politike, ishte ai i Blerim Shalës, nënkryetar i AAK-së. Por sot duket se edhe ky skenar është hedhur poshtë nga treshja LDK-AAK-Nisma, të cilët janë shprehur se me asnjë çmim nuk do të pranojnë që të jenë pjesë e një qeverie në të cilën do të ishte e pranishme edhe PDK e Hashim Thaçit.Qëndrim të prerë në këtë çështje ka edhe Lëvizja Vetëvendosje. Haradinaj-Mustafa-Limaj shprehen të bindur se edhe pa listën serbe, edhe pa Vetëvendosjen e Kurtit, i kanë numrat e nevojshëm për të qeverisur të vetëm vendin dhe të mos kenë nevojën e një qeverie gjithëpërfshirëse. Ndërkaq edhe në kampin kundërshtar, duket se PDK po lëviz të gjithë gurët e mundshëm për të qeverisur vendin edhe në një mandate të tretë, pas fitores në zgjedhjet e qershorit.Ky insistim nga të dyja blloqet se kanë të drejtë në formimin e qeverisë, po e con vendin drejt një krize të thellë politike, e cila mund të cojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Partnerët ndërkombëtarë deri më tani nuk kanë ndërhyrë, por kanë sugjeruar që qeveria të krijohet shpejt dhe të ketë një shumicë të fuqishme. Blloku ende opozitar në vend, LDK-AAK-Nisma po vijojnë diskutimet me dy partitë e vogla, listën serbe e cila ka parashtruar 4 kushte për tu bërë pjesë e bashkëqeverisjes e për të siguruar shumicën qeverisëse dhe Vetëvendosjen e Albin Kurtit, kushtet e të cilit janë më të rënda, kryesim i dialogut Kosovë-Serbi dhe 3 ministri kyce, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme si dhe Ministrinë e Integrimit.Ndërsa lideri i AAK-së, kandidati i bllokut opozitar për kryeministër, Ramush Haradinaj, duket se në vallen e ngërcit politik, ka përfshirë edhe presidenten Jahjaga, duke e akuzuar atë se me qëndrimin që po mban në lidhje me nominimin e mandatarit të qeverisë së ardhshme, po shkel kushtetutën. Ndërsa zyra e shtypit e kryetares së shtetit, nuk ngurroi të saktësojë se presidentja është në pritje të vendimit të gjykatës kushtetuese e përpara saj, nuk do të bëjë asgjë.