Kosovë, blloku opozitar, marrëveshje me listën "Srbska"
Kosovë - Ajo që pas zgjedhjeve të 8 qershorit u pa si zgjedhja më e lehtë për të formuar një qeveri nga blloku opozitar, duket se po shndërrohet në ngërcin që mban të mbërthyer Kosovën, duke e lënë atë prej gati 2 muaj pa një qeveri.Pas shumë takimesh e konsultash e pas shumë kërkesave, duket se blloku LDK-AAK-Nisma nuk ka arritur të finalizojë asgjë me Vetëvendosjen e Albin Kurtit e mosdakordësia u pa edhe në seancën e të enjtes, ku partia e Kurtit abstenoi për kandidaturën e Isa Mustafës në krye të Kuvendit.Por përfundimi i seancës konstituive duket se ka ndërruar faqen e ngjarjeve, pasi treshja opozitare Mustafa-Haradinaj-Limaj, po shqyrton një tjetër mundësi për një koalicion pas zgjedhor, madje mediat vendase bëjnë të ditur se në parim është arritur një marrëveshje me minoritetet e përfaqësuara në kuvend, kryesisht me listën "Srbska".Në këtë mënyrë, liderët e bllokut opozitar nuk kanë pse të pranojnë kushtet e vetëvendosjes, për 3 ministri kyce dhe për kryesimin e dialogut Serbi-Kosovë. Mediat në Prishtinë shkruajnë se as dialogu mes LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosja nuk do të vazhdojë më.E paralelisht me përpjekjet e opozitës aktuale për të marrë votat e mjaftueshme për të siguruar shumicën e nevojshme në kuvend, palët tashmë do të jenë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese përsa i përket konstituimit të institucioneve, sidomos atë të postit të kryetarit të kuvendit, në një kohë që në vend ka nisur tashmë të artikulohet edhe varianti I zgjedhjeve të parakohshme.Megjithatë Kryetari LDK-së, Isa Mustafa, tha për mediat në kosovë se LDK-AAK dhe NISMA i ka të gjithë numrat në Kuvend për t'i formuar institucionet e reja, ndërsa pranon se zgjedhjet janë një alternative.Ndërkaq Kryetarja e KQZ'së Valdete Daka kërkon që institucioni që ajo drejton të paktën të ketë 40 ditë kohë për përgatitjet.Nga ana tjetër Partia Demokratike e Kosovës ende nuk i ka humbur shpresat për të gjetur një partner për bashkëqeverisje.Oranews.tv