Notë protesta për Kosovën, MPJ thërret ambasadorin e Maqedonisë
Kosovë- Pas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, edhe ajo e Kosovës e ka ftuar për bisedë urgjente ambasadorin e Maqedonisë në Kosovë, Ilia Strazhevski.Burime nga kjo Ministri, kanë bërë me dije se kanë kërkuar shpjegime për dy letrat e protestës që dje në Shkup Ministria e Jashtme ia ka prezantuar Ambasadorit kosovar në Maqedoni, Ylber Hysa.Ministria e Jashtme e Kosovës, nëpërmjet drejtorit të përgjithshëm Albert Prenkaj, ia ka përsëritur qëndrimin e Prishtinës se të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet e dhunshme në Maqedoni, pas protestave për rastin “Monstra”.Të enjten, Shkupi zyrtar i ka dërguar një notë proteste, Shqipërisë dhe Kosovës, duke i konsideruar qëndrimet e zyrtarëve të të dy shteteve, si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë.Në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë, theksohet se janë thirrur në një takim, që ka zgjatur disa orë, ambasadorët e Shqipërisë dhe të Kosovës, ku më parë është diskutuar mbi deklaratat e zyrtarëve të dy vendeve lidhur me protestat e shqiptarëve në Maqedoni.Qëndrimi i Kryeministrit Edi Rama dhe ai i Qeverisë “Thaçi” në Kosovë kanë marrë kështu një përgjigje të ashpër nga vendi fqinj.