Mjekët dhe peticioni

Që në krye të herës do të pohoja se e drejta për t’u shprehur është një e drejtë pa të cilën nuk mund të ekzistojë demokracia. Dhe bash për këtë qëllim, është një e drejtë e sanksionuar në çdo kushtetutë të çdo vendi demokratik. Në këtë kontekst, edhe e drejta e një grupi njerëzish për të firmosur një peticion drejtuar një instance, është një e drejtë e pamohueshme dhe jo vetëm nuk përbën problem, por përkundrazi meriton të analizohet…Pa dashur të ndalem në këtë shkrim, te të gjitha kategoritë e intelektualëve që kanë firmosur një peticion në lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE, nuk mund të mos më bëjnë përshtypje të veçantë mjekët, disa prej të cilëve i kam dëgjuar si emra. Disa prej tyre madje i njoh personalisht dhe që i vlerësoj dhe respektoj pa i vënë aspak në dyshim përpjekjet dhe përkushtimin e tyre ditor për të mjekuar dhe shpëtuar jetë njerëzore, duke marrë për më tepër në konsideratë kushtet tejet të vështira të ushtrimit të këtij profesioni në Shqipëri.Por ndërkohë që lexoja tekstin e peticionit, m’u kujtuan shumë ndodhi, njëra prej të cilave ishte ajo e disa kohëve më parë, kur unë nga selia e Partisë Socialiste denoncova për ditë të tëra rresht situatën e mjerueshme të spitaleve shtetërore, duke u ndalur veçanërisht edhe në gjendjen e furnizimit të tyre me ilaçe. Për më tepër, duke u përqendruar edhe te shkaqet e mundshme të kësaj situate, tregova me një shembull konkret, mbështetur mbi dokumente origjinale, se si kompania farmaceutike e kushëririt të parë të ministrit të Shëndetësisë përfitonte miliona euro në mënyrë të pazakontë dhe krejtësisht të padrejtë. Aq flagrant ishte përfitimi i kësaj kompanie, natyrisht me bekimin dhe mbështetjen e ministrit, sa askush nuk ishte në gjendje të formulonte ndonjë argument kundër. Pra, asnjë kundërshtim apo mohim. Nuk e di se çfarë bën Prokuroria edhe sot e kësaj dite me rastin në fjalë, por kujtoj dhe ruaj në celularin tim shumë mesazhe nga shumë mjekë, infermierë dhe pacientë. Në fakt, kuptova se nuk ishte se kisha zbuluar ndonjë gjë të veçantë dhe të re, ashtu sikundër mendoja në fillim. Përkundrazi, ishte një fakt i njohur nga të gjithë, në ministri, në spitale. Mjekët e dinin. Flisnin me njëri-tjetrin përditë. E vuanin jashtëzakonisht shumë mungesën, jo vetëm të ilaçeve, por edhe të medikamenteve e mjeteve të tjera më elementare. Ato ditë intensive denoncimi, duke folur me mjekë, infermierë dhe punonjës spitalesh nga gjithë Shqipëria, mësova edhe shumë probleme të tjera të rënda, nga të cilat vuante sistemi ynë shëndetësor dhe për të cilat kolegët e mi në PS që mbulonin këtë sektor ishin fort mirë në dijeni.Por nuk mund të mos pohoj se më bëri një gjë përshtypje, se të gjithë që më flisnin dhe më tregonin historira abuzimesh dhe korrupsioni, paaftësie dhe militantizmi partiak dhe që jetonin dhe vuanin situatën dëshpëruese nëpër spitale, më kërkonin të ruanin anonimatin.Deklaratat e bëra nga podiumi i PS u pasuruan me fakte e shifra të tjera falë të dhënave që na jepnin njerëz që punoni brenda sistemit, mjekë, infermierë apo punonjës spitalesh. Dhe, e ritheksoj, se deri më tani asnjë shpjegim, përgjigje apo interpretim nuk u është dhënë denoncimeve tona nga asnjë strukturë shtetërore.Kam takuar mjekë të terrorizuar nga ideja e të qenët të survejuar. Kam biseduar me doktorë që u vinte turp nga kushtet në të cilat duhet të operonin. Kam dëgjuar të tjerë që ndiheshin në faj kur u thoshin pacientëve të blinin pambuk a betadinë, sepse spitali nuk kishte. Mund të vazhdoja gjatë me historitë e asaj periudhe denoncimi, për gjendjen e spitaleve dhe për mungesën e ilaçeve në to, sepse janë të panumërta historitë nga çdo cep i Shqipërisë.E përmenda ngjarjen e mësipërme për të thënë se, paçka se është e drejta e pamohueshme e këtyre mjekëve të firmosin një peticion, do të kishte qenë në nderin dhe integritetin e tyre që më parë të ngrinin zërin e të firmosnin peticione për mjedisin ku ata punojnë, luftojnë dhe sakrifikojnë përditë.Dhe kur nuk e kanë ngritur më parë zërin dhe firmosur ndonjë peticion për kushtet e vështira të punës, gjendjen e mjeruar të spitaleve shtetërore, korrupsionin dhe shpërfilljen e qeverisë, firmëtaret e këtij peticioni rrezikojnë të identifikohen me atë mjekun e Spitalit Ushtarak, që nxitimthi mori përsipër të citonte, pa u skuqur dhe në mënyrën më të shëmtuar dhe të turpshme të mundshme për një doktor, një tekst të servirur sipas të gjitha gjasave nga kreu I qeverisë, mbi vrasjen nga afër me pistoletë të një protestuesi të pafajshëm më 21 janar.Burimi: www.panorama.com.al